Vora News

Sulm me armë pranë Shtëpisë së Bardhë, Shërbimi Sekret qëllon për vdekje autorin

Një person i armatosur u vra pas një shkëmbimi zjarri me agjentët e Shërbimit Sekret amerikan pranë Shtëpisë së Bardhë mbrëmjen e së shtunës.

I dyshuari është identifikuar si Nasire Best, një 21-vjeçar që sipas autoriteteve ishte i njohur për Shërbimin Sekret dhe kishte histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.

Sipas autoriteteve amerikane, pak para orës 23:00, i riu nxori një armë nga çanta e tij dhe nisi të qëllonte pranë kryqëzimit të 17th Street dhe Pennsylvania Avenue NW, afër ndërtesës së zyrës ekzekutive Eisenhower.

Agjentët e Shërbimit Sekret reaguan menjëherë duke kthyer zjarrin dhe duke e neutralizuar autorin. Ai u transportua në spital, ku më vonë u shpall i vdekur.

Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore. Shërbimi Sekret konfirmoi se asnjë efektiv nuk u lëndua gjatë incidentit.

Në momentin e sulmit, presidenti amerikan, Donald Trump, ndodhej në rezidencën presidenciale, por sipas Shërbimit Sekret “asnjë operacion sigurie dhe asnjë person i mbrojtur nuk u prek”.

Në një reagim në rrjetin social Truth Social, Trump falënderoi agjentët për reagimin e shpejtë dhe profesional.

“Faleminderit Shërbimit tonë të madh Sekret dhe forcave të rendit për veprimin e shpejtë dhe profesional të ndërmarrë këtë mbrëmje kundër një personi të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë”, shkroi ai.

Ngjarja ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë pranë Shtëpisë së Bardhë, vetëm një muaj pasi një person i armatosur hapi zjarr gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button