Vora News

Makina me eksploziv përplaset me trenin, 20 të vrarë nga shpërthimi në Pakistan. Dyshime për sulm terrorist

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe rreth 70 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi që goditi një tren që transportonte personel ushtarak në Pakistan.

Shpërthimi ndodhi mëngjesin e së dielës, ndërsa treni po kalonte pranë stacionit Chaman Phatak në qytetin Quetta, kryeqyteti i rajonit perëndimor të Baluchistanit.

Zyrtarë hekurudhorë thanë për BBC-në se tre vagona dhe lokomotiva dolën nga shinat, ndërsa dy të tjerë u përmbysën. Shërbimi hekurudhor përdorej kryesisht për transportimin e ushtarakëve dhe familjeve të tyre, të cilët po ktheheshin në shtëpi për festën e Bajramit.

Grupi separatist Ushtria Çlirimtare e Baluchistanit (BLA) mori përgjegjësinë për sulmin, duke deklaruar se bëhej fjalë për një atentat vetëvrasës. Autoritetet pakistaneze ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë version.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë vagona të djegur dhe të shkatërruar, makina të dëmtuara pranë shinave dhe dëmtime të mëdha në një ndërtesë aty pranë.

“Treni ishte në lëvizje dhe kishte pasagjerë në bord kur ndodhi shpërthimi,” tha një banor i zonës, Naseer Ahmed. Ai shtoi se familja e tij po flinte në momentin e shpërthimit, i cili theu të gjitha xhamat e shtëpisë së tij.

Dëshmitarë të incidentit thanë se një automjet i mbushur me eksploziv u përplas me trenin, duke shkaktuar shpërthimin.

Një zyrtar policie dhe një përfaqësues i administratës civile në Baluchistan konfirmuan se numri i viktimave ka arritur në 20, ndërsa ekziston frika se bilanci mund të rritet. Sipas autoriteteve, mes viktimave janë edhe tre ushtarë.

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif e dënoi ashpër sulmin, duke deklaruar se “akte të tilla terroriste nuk mund ta dobësojnë vendosmërinë e popullit pakistanez”.

“I gjithë kombi qëndron pranë popullit të Baluchistanit në këtë moment zie,” shtoi ai.

Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente në spitalet që po trajtojnë të plagosurit.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button