Vora News
“Bajram Loka burri i madh i derës së madhe Loka”(Kushtuar birit të Prezës dhe Krujës, Bajram Ahmet Loka)Nga Xhemal Shehu.

(Kushtuar birit të Prezës dhe Krujës, Bajram Ahmet Loka)
Nga Xhemal Shehu
Bajrami lindi më 15 Janar të vitit 1927, në fshatin Palaq të Prezës, në një familje fshatare me tradita atdhedashurie, autokton dhe të vendosur në vargun kodrinor Ishëm-Vorë, 800m në perëndim të kalasë së Prezës.
Historikisht familja Loka, ku lindi e u rrit Bajrami, ka gëzuar dhe gëzon një respekt të veçantë dhe vlerësohet me konsiderata të larta nga komuniteti i gjithë krahinës së Prezës e më gjerë. Ibrahimi, gjyshi i Bajramit mori pjesë në luftën e Selanikut dhe dha jetën duke luftuar e treguar një trimëri të lartë, e vërtetuar kjo edhe nga bashkëluftëtarët e tij prezjanë, në një ndër betejat e Selanikut në vitin 1900…
Në vitin 1918 Abazi, xhaxhai i Bajramit, përkrah 200 vullnetarëve të tjerë nga Shqipëria e mesme dhe jugu i Shqipërisë, mori pjesë dhe dha jetën në Luftën e Koplikut kundër pushtuesve serbo-malazezë…
Kur shkeli çizmja fashiste më 7 prill 1939, babai i Bajramit, Ahmet Ibrahim Loka, i datëlindjes 1900, e kthen familjen në bazë të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare… Ai në krye të djalërisë prezjane, së bashku me 46 bije të tjerë të kësaj zone si: Islam Shehun, Ahmet Bojën, Vesel Xhepexhiun, Zeqir Dacin, Rexhep Çunin, sot dëshmorë të kombit, Ramazan Sinanin, Osman Bubkun, Vesel Dacin, Shim Shimën etj, të braktisur dhe tradhtuar nga regjimi zogolljan, kryen aktin patriotik, shkojnë në Durrës, në kërkim të armëve për mbrojtjen e vatanit…
Më pas, Ahmeti u aktivizua me Luftën Ncionalçlirimtare… Nga shpërndarja e trakteve e aksionet guerile, për të shkuar e luftuar me guxim e heroizëm nga njëri formacion në tjetrin… Kështu organizohen njësitet e para partizane në Bizë të Ishmit e Virjon të Krujës, për të shkuar më 20 Maji 1943, në krijimin e Çetës “Krujë-Ishëm”, më pas më 23 gusht 1943, në Tapizë të Krujës krijohet Batalioni “Krujë-Ishëm”, dhe pas mëse një viti, më 21 shtator 1944 në Zall-Herr të Tiranës, përkrah batalioneve “Dajti” e “Mati” krijohet Brigada 23 Sulmuese, ku Ahmeti nuk ndahet asnjë cast, deri në çlirimin e plotë të vendit, më 29 Nëntor 1944…
Për këtë kontribut të madh, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, shtëpisë “Loka” i është vendosur pllakata përkujtimore; “Bazë e Luftës Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë”…
Populli thotë “Dardha bien nën dardhë”. Bajram Loka, i rritur dhe burrëruar në zjarrin e luftës për liri, aktivizohet në “Rininë Komuniste”, përkrah shokëve të tij Hysen Vodha, vëllezërit Zeqir e Vesel Daci, Sefer Boja, Ahmet Shehu, Sherif Dervishi, Murat Çuni etj, ku dhanë një kontribut të madh në shpërndarjen e trakteve, mbledhjen e ndihmave për luftën e deri në shtimin e radhëve në formacionet luftarake…
Për meritat dhe kontributin e tij gjatë luftës, pjesëmarrjes aktive në aksionet e para për rindërtimin e vendit, në vitin 1948 autoritetet e kohës e emërojnë Bajramin Kryetar të Loalitetit me qendër në Prezë dhe më vonë në Lokalitetin e Vorës, mbasi Lokaliteti zhvendoset nga Preza në Vorë, pasi zgjerohet duke përfshirë edhe zonën e Kasharit… Për tre vite në këtë detyrë, në moshë të re 21-23 vjeçare, Bajrami përballoi një periudhë mjaft të vështirë me problemet e mëdha, (të sapo dalë nga lufta…), që kishte populli i zonës së Kasharit, Vorës dhe Prezës…
Përveç detyrave dhe përgjegjësive për punën që kishte, varfërisë në familje prej 25 vetësh, e rëndonin edhe veprimtaria e bandave kriminale kundër pushtetit popullor e deri dhe në kërcënime për jetën e tij… Gjithësesi Bajrami nuk u lëkund aspak, përballoi me sukses çdo situate, pasi kishte mbështetjen mbarë popullit, të Partisë dhe të pushtetit popullor…
Ndërkohë vazhdonin reformat e mëdha në bujqësi e kudo… Familja Loka me kryefamiljar Bajramin, ishte ndër të parat që eksperimentuan “Kolektivën” e parë në vitin 1949, ku u bashkuan fshatrat Budull dhe Palaq, me Kryetar bashkëfshatarin dhe bashkëluftëtarin e tij Vesel Dacin, për t’i paraprirë krijimit të Kooperativës “Ylli i Kuq” Budull më 2 dhjetor 1950, (Kooperativa e parë në rrethin e Tiranës dhe Krujës…), ku kryetar rizgjidhet Vesel Daci…
Në vitin 1948, Bajrami pranohet në radhët e Partisë Komuniste… Dokumentin e kishte si gjënë më të shtrenjtë, dhe e mbajti me nder gjithë jetën e tij… Në vitet 1958-1959, kreu me sukses Shkollë e Lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin”, në Tiranë. Ndërsa në vitin 1961 em.rohet Kryetar i Kooperativës Bujqësore “Bilaj-Murqinë” të rrethit Krujë. Këtë Kooperativë e gjeti tepër të prapambetur, ku mungonin dhe hangarët apo kotecët e misrit. Nuk kishte thasë ambalazhi, mungonin zyrat dhe popullata e varfër ishte e demoralizuar…
Në këtë situatë, falë punës së tij me njerëzit, me kryetarët e familjeve dhe të parët e fiseve, me mbështetjen e Partisë në rreth, zgjidhi problemin e kuadrit; Agronom, Veteriner, Zooteknik, Ekonomist, Brigadier e Përgjegjës Sektori, duke afruar e vendosur në këto detyra njerzit më të aftë e më të përkushtuar… Duke punuar me vetmohim, kooperativa e “Bilaj–Murqinë”, që drejtonte Bajrami, arriti që për 2-3 vite të kthehet në një ekonomi bujqësore nga më të dalluarat në rrethin e Krujës.
Gjatë periudhës 1961-1968, duke vlerësuar punën dhe arritjet e tij nga viti në vit, Konferenca e Partisë së Rrethit e zgjedh Anëtar Pleniumi dhe Anëtarë të Byros së Partisë së Rrethit, si dhe për dy Legjislatura me radhë, populli e zgjedh dhe deputet në Kuvendin Popullor. Shprehjet nën zë se “Prezjanët” kanë “drejtuar” Krujën, Bajram Loka e tjerë me rradhë, tregojnë se me punë e nëpërmjet punës me përkushtim, kanë arritur të fitojnë besimin e Partisë dhe popullit ku kanë drejtuar. Për shembull. Komuniteti katolik i fshatrave Bilaj – Murqinë të kësaj kooperative krijuan besim e konsideratë të veçantë, deri atje sa të bënin kryq për Bajram Lokën…
Në vitin 1968, si pasojë e një sëmundje të rëndë, Bajrami lirohet nga detyra e Kryetarit të Kooperativës, ndërsa në vitet 1969-1970, emërohet dhe punon si Shef për Pushtetin Lokal pranë Komitetit të Partisë së Rrethit Krujë.
Në vitet 1971-1981 kryen detyrën e Përgjegjësit të Blegtorisë në Ndërmarrjen e Grumbullimit në Fushë Krujë. Gjatë kësaj periudhe, Bajrami kryen njëkohësisht edhe detyrën e Sekretarit të Byros së Partisë në këtë ndërmarrje. Detyra e Përgjegjësit të Blegtorisë kishte një specifikë të veçantë, sa e vështirë aq dhe me përgjegjësi të madhe, pasi kishte të bënte me furnizimin e popullsisë me mish, duke realizuar me çdo kusht planin e shtetit nga të gjitha ekonomitë bujqësore të rrethit të Krujës. Por Bajram Loka dinte të bashkëpunonte dhe kordinonte punën mjaft mirë me drejtuesit dhe specialistët e të gjitha ekonomive bujqësore të rrethit, deri sa doli në pension në vitin 1981…!
Për realizimin me sukses të detyrave dhe përgjegjësive të ngarkuara Bajram Loka është nderuar me shumë dekorata të akorduara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, ndër to më të rëndësishmet, ajo e Luftës dhe e “30 Vjetorit të PPSH-së”…
Njerëz të tillë si Bajram Loka rrezatonin mirësi edhe në anën njerëzore dhe rrethoheshin me miq e shokë të shumtë kudo që punuan e jetuan. Pasuria e vetme e Bajramit ishin miqtë dhe shokët e shumtë të tij në rreth e më gjerë; familja e tij e thjeshtë, por e mrekullueshme, të cilët bashkë me bashkëshorten e tij të shtrenjtë Sherifen, nga familja “Hoxha” në fshatin Palaq të Prezës, (e shpallur “Nënë Heroinë”), lindën dhe edukuan gjashtë djem e tre vajza, të gjithë të arsimuar, të edukuar si duhet të ishin fëmijët e Bajramit dhe Sherifes… Gjithashtu në pasurinë e këtij burri emërmadh të derës së madhe “Loka”i cili edhe pse menaxhonte mjete teknike e financiare të shumta, pas 21- vite punë si kuadër, mezi ngriti një shtëpi e thjeshtë në vitin 1969, në Lagjen “Magaze” Fushë Krujë, pasi Bajrami dhe tërë plejada e tyre ishin brumë tjetër, sepse ata nuk dalloheshin nga privilegjet, por nga kontributi që jepnin për ndërtimin e Socializmit dhe të Shoqërisë së Re që aspironin… Mbi gjithçka ata vinin interest e atdheut e të popullit, të punëtorëve e kooperativistëve, të cilët i kishin besuar të drejtojnë…
Në fëmijërinë e tij Bajramin ishte shok klase e më pas shokë barrikade në aksionet e rinisë komuniste e shokë të pandarë edhe në jetë me Prof. Dok. Bajram Prezëm, Akademik, Hysen Vodhën nga fshati Palaq, Vesel Dacin e Sefer Bojën nga Budulla, Selman Dacin dhe Abaz Dacin nga Mazhe e Madhe, (Abazi edhe pse kishte diferencë moshe me Bajramin, ata i lidhnin idealet…). Më pas në detyrën e Kryetarit të Kooperativës krijoi shoqëri me homologët e tij; Murat Mullai, Ramazan Muka, Xhavit Daci, Muharrem Sefa, Sefer Tali, Selim Babaji, Ismail Deliu, Muharrem Rexha etj. Në listën pa fund të shokëve të tij ish kuadro me emër në rreth janë: Ismail Serseri, Mustafa Taga, Myrteza Blushi, Hamit Taga, Murat Çuni, Jaho Kasemi, Ndue Kaçorri, Liman Lila, Haki Mezini, Niko Dado, Dhori Tase, Tahir Sinani, Kadri Mullai etj…
Teksa hedhim këto radhë për këta heronj të heshtur të luftës dhe të ndërtimit të socializmit, që nuk kursyen jetët dhe rininë e tyre, për ta bërë këtë vend të lirë dhe sa më të begatë, çmallemi me ta, në këtë kohë të turbullt. Jetët e tyre janë kapituj të historisë kombëtare, kapituj të lidhur me njëri-tjetrin. Ibrahim Loka është kapitull i Lëvizjes për PavarËsi në Ballkan si Aleatë, Abaz Loka është kapitull në mbrojtje të Shkodrës nga pushtuesit serbo-malazez, Ahmet Loka babaj i 14 fëmijëve, 12 djemëve e 2 vajzave.., është kapitull i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Bajram Loka është kapitull i luftës për rindërtimin e vendit dhe ndërtimin e Socializmit në Shqipëri. Gjenerata e derës së madhe Loka; Ibrahimi, Abazi, Ahmeti dhe Bajrami janë degët e forta të të njëjtit lis të madh dhe të lashtë, lisit të patriotizmit apo lisit të shqiptarisë.
Nder dhe respekt pa kufi për derën e madhe Loka!
Kush ka patur fatin ta njohë nga afër derën e madhe “Loka”, apo të punojë me shokun Bajram, nuk do të kënaqej me këtë shkrim modest, që vetëm sa i ka hequr pluhurin historisë së kësaj familje dhe portretit të këtij burri të madh, birit të Prezës dhe Krujës Bajram Loka…!!! “
Natyrisht burra të mëdhenj nga familje të fisme si Bajram Loka, me punën dhe veprën e tyre, përcjellin mesazhin:
Njerëz, mos harroni luftën e shenjtë për liri të të parëve tanë!
Njerëz, mos shkelni mbi gjakun, sakrificat dhe djersën e derdhur lumë për rindërtimin e vendit dhe ndërtimit të Socializmit të të parëve tanë!
Njerëz, mos harroni Bajramin dhe tërë plejadën e tyre, se e bëni Atdheun të skuqet nga turpi..!
Xhemal Shehu




