Aktualitet

Çfarë ndodhi në xhaminë “Dine Hoxha” kur po faleshin besimtarët! Si 34-vjeçari plagosi me thikë 5 persona

Në Shqipëri ndodh rrallë, për të mos thënë asnjëherë, që të prishet qetësia e festave fetare apo e muajve e ditëve të shenjta. Muaji i Ramazanit gjithmonë ka qenë një muaj që në vendin tonë është respektuar nga të gjithë, pa dallim feje.

Por dje ndodhi diçka e paprecedent. Një ngjarje në kufijtë e një akti terrorist, por që në fakt deri tani nuk po rezulton i tillë. Duket më shumë si një ngjarje e kryer nga një person, që sipas të gjitha të dhënave, nisur edhe nga ato që thonë familjarët e tij, vuan nga probleme të theksuara psikologjike. Madje për një farë kohe ka marrë edhe mjekim në spital. Rudolf Nikollaj, një 34-vjeçar, familja e të cilit i përket fesë së krishterë, ndërsa ai vetë është konvertuar në mysliman, u fut dje në xhaminë “Dine Hoxha”, te Rruga e Kavajës në Tiranë, jo për t’u falur, por për të sulmuar besimtarët. Fillimisht ai goditi me thikë një besimtar që në fakt punonte edhe në picerinë aty pranë, me të cilin u përball në derë të xhamisë. Më pas u fut brenda duke plagosur edhe katër të tjerë, të gjithë të rinj, që po faleshin. Të tjerë besimtarë ndërhynë, duke arritur t’i heqin thikën nga dora e ta nxjerrin jashtë. Më pas, jashtë xhamisë, ai u neutralizua nga kalimtarë e besimtarë të tjerë, që “e arrestuan”, derisa aty mbërriti Policia.

Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një objekti kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas. “Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikollaj, 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, tha zyrtarisht Policia. Të plagosurit, Donald Koçi, 35 vjeç, Saba Peposhi, 22 vjeç, Maringlen Konja, 24 vjeç, Kleon Jupaj, 26 vjeç dhe Amri Tolaj, 23 vjeç, u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës. Burimet thanë se ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe pas ndihmës së parë në urgjencë, janë shtruar në pavijon.

Përveç sulmit të paprecedent në xhami, për më tepër në një muaj të shenjtë, siç është muaji i Ramazanit, edhe ajo që ndodhi pas ngjarjes, sjellja e besimtarëve dhe e kalimtarëve me autorin e ngjarjes ishte disi e tepruar. Ata arritën ta neutralizonin, përmes forcës dhe përplasjes fizike me të. Por ajo që ndodhi pasi e kishin shtrirë në tokë u duk disi e tepruar. “Desh ma futi me thikë dhe mua”, tha njëri prej personave që po e mbante derisa erdhi Policia. Dikush tjetër bërtiste: “Ka vrarë 6 vetë aty brenda”. Pasi mbërritën forcat e Policisë që përpiqen të prangosin autorin, një prej të pranishmëve e godet me shkelma dhe bërtet: “O legen, o maskara”. Ngjarja që ndodhi është një krim mjaft i rëndë, por për aq kohë sa të gjithë i kthejnë sytë nga drejtësia, duhet pritur që të vendosë ajo dhe jo të bëhet vetëgjyqësi ndaj një njeriu, që sipas të gjitha të dhënave, nuk ka qenë i ndërgjegjshëm për veprimet që ka kryer.

Sulmi ndaj besimtarëve në xhami, reagon KMSH: Të zbardhet ngjarja

Kreu i Komunitetit të Myslimanëve Shqiptarë, Bujar Spahiu, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi dje në xhaminë “Dine Hoxha”, ku 5 besimtarë myslimanë u plagosën me thikë nga një 34-vjeçar. Ngjarja ndodhi te Rruga e Kavajës rreth orës 14:30 dhe autori u arrit të prangosej nga Policia. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spahiu u bëri thirrje organeve përkatëse që të zbardhet sa më parë kjo ngjarje, e cila lëndoi besimtarët në këto ditë Ramazani. “U informova nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli dhe nëpërmjet medias, për ngjarjen e fundit në xhaminë ‘Dine Hoxha’. Sipas imamit Kalaja dhe besimtarëve dëshmitarë të pranishëm, një person i jashtëm ka hyrë nga rruga në xhami duke plagosur me mjet prerës besimtarët dhe personelin e pranishëm në xhami. Fatmirësisht besimtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën. I lutemi Zotit për shërimin e tyre sa më të shpejtë. Personi është në duart e forcave të rendit. Kërkojmë nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarjeje, e cila lëndoi besimtarët në këto ditë Ramazani”, thuhet në reagimin e kreut të Komunitetit të Myslimanëve Shqiptarë, Bujar Spahiu.

Marrë nga Panorama

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker