Aktualitet

Kthesë apo vazhdimësi? Sot Shqipëria vendos, mbi 3 milionë qytetarë drejt kutive të votimit

3588869 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote do u drejtohen sot kutive për të zgjedhur 140 deputetët e Kuvendit të ri dhe qeverinë që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme. Në garë janë 13 parti dhe në disa qarqe disa kandidatë të pavarur.

Dy janë risitë e këtyre zgjedhjeve. Së pari, votuesit do të identifikohen nga një pajisje elektronike, dhe jo nga komisionerët, për të shmangur votimet e shumëfishta. Së dyti, për herë të parë në këto zgjedhje, veç partisë, do të mund të votojmë edhe kandidatin tonë brenda së një njëjtës parti, duke i dhënë mundësi atyre që janë dukshëm më të votuar, të fitojnë, edhe nëse kryetari i partisë e ka renditur poshtë në listë.

Në qendrën e votimit mund të shkosh me një kartë identiteti ose me një pasaportë, edhe nëse ajo të ka skaduar. Qeveria, vendosur të shtyjë vlefshmërinë e tyre edhe nëse nuk e keni rinovuar. Më një prej këtyre mjeteve identifikimi, duhet të shkoni në qendrën e votimit. Komisioneri do ta marrë dokumentin dhe do ta skanojë në këtë pajisje elektronike, e cila është e aftë të dallojë nëse i përket asaj qendre votimi dhe të mos lejojë votimin e shumëfishtë. Pasi të marrë edhe shenjën e gishtit, komisioni do t’ju pajisë me fletën e votimit.

Në dhomën e fshehtë, ju mund të votoni, jo vetëm për partinë, por edhe për kandidatin e preferuar brenda së njëjtës partie. Tre janë format e rregullta të votimit.

Mënyra e parë: ju mund të zgjidhni një prej 12 partive apo koalicioneve, ose një kandidat të pavarur, duke shënuar me kryq në kutinë e madhe majtas. Po ashtu, tek i njëjti subjekt, ju mund të zgjidhni vetëm një kandidat të preferuar, duke shënuar një numër. Nëse nuk e mbani mend se cfarë numri ka kandidati juaj i preferuar, pas shpinës suaj, tek dhoma e fshehtë, do të jenë të afishuar në mur të gjitha partitë, të gjithë kandidatët e tyre, me të gjithë numrat përkatës.

Mënyra e dytë: ju mund të votoni vetëm partinë tuaj të preferuar, pa u shprehur se cilin nga kandidatët e saj mbështesni.

Mënyra e tretë: është të votoni vetëm kandidatin tuaj të preferuar, pa u shprehur për partinë.

Ju nuk mund të votoni dy parti njëkohësisht. As dy kandidatët të ndryshëm të së njëjtës parti, dhe as dy kandidatë të partive të ndryshme.

Është votë e pavlefshme, nëse ju votoni një parti të caktuar dhe një kandidat që i takon një partie tjetër.

Të gjitha shenjat tuaja të zgjedhjes duhet të jenë brenda së njëjtit rresht.

Votimi do të hapet në orën 7 të mëngjesit dhe si rregull duhet të mbyllet në 7 në mbrëmje. Pasi kutitë të mbyllen, ato do të transportohen në 92 qendra numërimi, ku do të fillojë raundi i dytë i zgjedhjeve.

Kësaj here, votat do të numërohen dy herë. Në raundin e parë, do të numërohen votat  e partive, dhe do të shpallet rezultati kombëtar se sa mandate ka fituar secili subjekt.

Më pas, kutitë do të rihapen nga e para, dhe do të numërohen votat e kandidatëve, për të shpallur deputetët fitues të secilës parti që ka marrë mandate në Kuvend. Edhe kësaj here, pavarësisht disa përpjekjeve, komisionerët dhe numëruesit do të jenë politikë.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote: 3 588 869

Shkodër, 5 bashki  –  272 078 zgjedhës – 411 QV – 11 mandate

Lezhë, 3 bashki –  173 899 zgjedhës – 249 QV – 7 mandate

Durrës, 3 bashki  –  358 730 zgjedhës – 481 QV- 14 mandate

Tiranë, 5 bashki   –  910 494 zgjedhës – 1243 QV- 36 mandate

Fier, 6 bashki – 403 220 zgjedhës – 580 QV– 16 mandate

Berat, 5 bashki – 183 119 zgjedhës – 277 QV – 7 mandate

Vlorë, 7 bashki – 318 428 zgjedhës – 445 –  12 mandate

Kukës, 3 bashki – 83 027 zgjedhës – 141 QV – 3 mandate

Dibër, 4 bashki – 131 225 zgjedhës – 227 QV – 5 mandate (-1)

Elbasan, 7 bashki – 346 948 zgjedhës – 511 QV – 14 mandate

Korçë, 6 bashki – 284 363 zgjedhës – 427 QV –  11 mandate

Gjirokastër, 7 bashki – 123 270 zgjedhës – 207 QV – 4 mandate (-1)

Qarqe 12

Bashki  61

ZAZ  92

Njësia Administrative  383

Qendër Votimi  5199

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker