Aktualitet

Kujdes, do bini në grackë! Policia 4 këshilla për qytetarët: Mos e bëni këtë gabim në rrjetet sociale

Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve që të jenë shumë të kujdesshëm në rrjetet sociale, pasi kohët e fundit ka pasur disa denoncime, ku përdorues anonimë krijojnë profile duke përdorur emra të rremë që përkojnë me emra të përzgjedhur rastësisht që të lënë të kuptosh se janë emra shqiptarësh më pas marrin të dhëna personale dhe i përdorin për shantazh. Policia e shtetit ka 4 këshilla për qytetarët, kryesorja; mos bisedoni me të panjohur.

“Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në vijim të punës së saj, prej disa kohësh ka evidentuar me shqetësim rritjen e rasteve të shantazheve në rrjet.

Për të sqaruar më mirë opinionin publik, shantazhet në rrjet nuk janë situata të reja me të cilat përballen qytetarët dhe strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit. Kohët e fundit është vënë re një shtim i rasteve të qytetarëve që janë prekur nga këto vepra penale duke krijuar shqetësim si për ata që janë të prekur drejtpërdrejt  ashtu dhe për familjet e tyre.

Përdoruesit anonimë, të cilët nga rastet e deritanishme rezultojnë shtetas të huaj, krijojnë profile duke përdorur emra të rremë që përkojnë me emra të përzgjedhur rastësisht që të lënë të kuptosh se janë emra qytetarësh shqiptarë. Pasi hapin këto profile, autorët krijojnë miqësi pas miqësie duke u bazuar në njohjet që krijohen nga profilet e rrjeteve sociale në mënyrë që të bëhen të besueshëm dhe po në të njëjtën kohë targetojnë viktimat e tyre.  

Pasi krijohet besimi tek miqtë që kanë krijuar se profili i hapur i përket rrethit të tyre të njohjeve fillojnë të dërgojnë mesazhe me qëllim që të krijojnë komunikime private. Komunikimi ndërpritet kur autorët mësojnë të dhëna personale dhe të dhëna të cilat do të krijonin shqetësime për të prekurit nga këto miqësi të rreme.

Pas kësaj autori fillon të shantazhojë personin me bërjen publike të të dhënave të marra duke shfrytëzuar dhe njohjet që ka  personi  në rrjetet sociale. Për të ndaluar shantazhin dhe për të fshirë të dhënat që ka zotëruar, autori i kërkon personit  vlera të ndryshme monetare që duhet t’i dërgohen atij nëpërmjet kompanive të ndryshme financiare.

Nëse ata refuzojnë, përdoruesi do t’i kërcënojë se do bëjë publik informacionin e tyre personal.

Aktualisht, sipas evidentimeve që Njësia “C” disponon, personat e prekur janë të moshave të ndryshme duke mos u fokusuar në grup mosha të veçanta.

I bëjmë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që të bëjnë kujdes për sa i përket komunikimit në rrjet dhe për këtë të zbatojnë me korrektësi disa masa sigurie gjatë komunikimit, të cilat janë:

➢ Të mos japin të dhëna personale apo të dhëna sensitive që u përkasin atyre;

➢ Të mos komunikojnë me profile që janë në rrethin e tyre të njohjeve, por që nuk kanë komunikuar kurrë më parë me ata;

➢ Të sigurohen që profilet u përkasin emrave realë të personave që përfaqësojnë;

➢ Të kenë parasysh që autorët mund të veprojnë në mënyra të ndryshme për të joshur apo për të marrë të dhënat që kërkojnë, me qëllim përdorimin e tyre në një kohë të mëvonshme.

Si përfundim sqarojmë opinionin publik se deri më tani Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit po ndjek çdo rast të evidentuar në Republikën e Shqipërisë dhe njëkohësisht bën thirrje për çdo shtetas nëse ndjehet i prekur nga një situatë e tillë, të njoftojë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit.

Struktura e Njësisë për Hetimin Kibernetik mund të kontaktohet drejtpërdrejt në adresën e postës elektronike CC@asp.gov.al” deklaron policia e shtetit.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker