Nafta bie në kuotat e paraluftës, çfarë po ndodh me çmimet shqiptare të karburanteve

Çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare kanë shënuar një rënie të shpejtë javën e fundit, duke zbritur në nivelet e paraluftës, si rrjedhojë e të dhënave më të dobëta sesa priteshin nga ecuria e ekonomisë së SHBA-ve dhe të Kinës.
Një fuçi naftë, treguesi referencë i naftës europiane, tregtohet me rreth 92 dollarë për fuçi, në nivelet e janarit, nga 100 dollarë që ishte një javë më parë dhe 110 dollarë në fillim të gushtit.
Edhe treguesi referencë i naftës së përpunuar, Platts, të cilin e importojnë kompanitë në Shqipëri ka zbritur në 900 dollarë/ton, nga 930 dollarë për ton që ishte një javë më parë.
Nga 12 marsi çmimet tavan me pakicë dhe shumicë që tregtohen në vend vendosen nga Bordi i Transparencës i krijuar nga qeveria, bazuar në një formulë që merrte në konsideratë çmimin e blerjes në bursa, taksat, kostot operative, marzhin e fitimit, kursin e këmbimit të dollarit (monedha me të cilën blihet nafta në bursa).
Historiku i këtyre pesë muajve e gjysmë që çmimet vendosen nga Bordi ka treguar se mekanizimi i krijuar nga qeveria për të kontrolluar çmimet dhe për të bërë transparencë, nuk ka arritur të kryejë asnjë nga këto funksione.
