Aktualitet

Pse po rritet çmimi i naftës

Çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm javët e fundit, duke rënduar xhepat e qytetarëve qofshin këta konsumatorë të vegjël, përdorues të shpeshtë të mjeteve motorike, biznese etj. Rritja nuk ka qenë e menjëhershme, por ka ardhur javë pas jave duke krijuar një diferencë të ndjeshme me fillimin e këtij viti, kur çmimet e karburantit ishin të ulta për shkak të lëvizjes së pakët që imponoi pandemia.

Sot në disa karburante në Tiranë, nafta shitet edhe me 170 lekë, ndërsa çmimi më i zakonshëm është ai prej 169 ose 168 lekë. Ndërkohë 10 ditë më parë çmimi i naftës ishte 166 lekë.

Diferenca është e ndjeshme me vitin e kaluar. Gjatë muajve të pandemisë nafta shitej me 148 lekë për litër.

Monitor raporton luhatjet e çmimit të naftës kur shkruan se “shtrenjtimi i parë u shënua në shkurt të këtij viti, me 6-8 lekë për litër, i dyti në maj me 5 lekë për litër, dhe po me kaq edhe në fund të qershorit dhe në tre lekë ditët e fundit”.

Sipas operatorëve të tregut shkak është tendenca e fundit e shtrenjtimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Në bursa, çmimi i naftës ka arritur në 75.8 dollarë për fuçi, nga 27 dollarë që zbriti në prill të vitit të kaluar, në kulmin e pandemisë. Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, ekonomitë kanë nisur të gjallërohen, konsumi është rritur dhe qytetarët kanë nisur të lëvizin më shumë.

E veçanta në Shqipëri është një manovër që kanë bërë operatorët e tregut të karburanteve. Kur çmimi ishte i ulët, ata importuan sasi rekord, duke krijuar rezerva të mëdha.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se nga janari dhe prilli i këtij viti, importet e karburanteve arritën në një nivel rekord të pas viteve ’90, prej 175 mijë ton. (Importet e karburanteve janar-mars).

Tani që çmimi është rritur në tregjet ndërkombëtare, biznesi shqiptar po e pasqyron fiktivisht këtë rritje, duke pasur fitime shumë më të mëdha.

Në tregun shqiptar, çmimi i lartë dhe i paqëndrueshëm i karburanteve është pasojë edhe e taksave direkte, të cilat e bëjnë të pamundur konkurrencën me rajonin.

Sipas indeksit të Global Petrol Prices, pas karantinës, çmimi mesatar i karburanteve në Shqipëri ra me 35%, duke zbritur nga dhjetëshja e vendeve me karburantet më të shtrenjta në Europë. Por pas luhatjeve të fundit në bursa, duket se këto çmime po i drejtohen rritjes./Lapsi.al

Niveli i taksimit në tregun e hidrokarbureve:

Taksa e Qarkullimit-27 Lekë/Litër

Taksa e Karbonit-3 Lekë/Litër

Taksa e Markimit-1 Lekë/Litër.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker