Aktualitet

PUNËSIMET NË ARSIM/ Gara për mësuesit, ja datat e testimit për secilin profil lëndor

Pranvera Kola 

Janë me mijëra arsimtarët që garojnë përgjatë këtij sezoni për të siguruar një vend të lirë pune në shkollat e arsimit parauniversitar. Pas konkurimit të fazës së parë të zhvilluar gjatë muajit qershor (aplikimi me dosje), ditën e mërkurë, datë 28 korrik do të nisë konkurimi final nëpërmjet testimit të informatizuar që do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit për të gjithë kandidatët që konkurojnë këtë vit për vendet e lira të punës në arsimin parashkollor, atë 9-vjeçar, si dhe në gjimnaze

Duke qenë se numri i mësuesve që do të marrin pjesë në provim është shumë i madh janë përcaktuar edhe datat se kur do të zhvillohet testimi për kandidatët e çdo profili lëndor. Sipas kalendarit të shpallur tashmë nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit (QSHA), mësuesit e gjeografisë janë të parët që do t’i nënshtrohen këtij provimi. Për të vijuar më pas me të gjitha profilet e tjera lëndrore. Kalendarin e plotë të datave të testimit për secilin profil lëndor e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Provimet do të përfundojnë në datën 10 shtator me mësuesit e arsimit parashkollor. Në garë për vendet e lira të punës përgjatë këtij viti janë: mësuesit e arsimit parashkollor, arsimit fillor, matematikës, kimisë, fizikës, gjeografisë, edukimit fizik, historisë, gjeografisë, muzikës, gjuhëve të huaja, shkencave sociale, biologjisë, arsim special, artit pamor, gjuhës shqipe dhe letërsisë, si dhe informatikës.

Ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, sqarojnë se sikundër ndodh me profilet e mjekësisë, edhe për mësuesit që janë në garë nëpërmjet portalit, provimi do të jetë i informatizuar dhe do të zgjasë një orë. Testi është i përbërë në dy pjesë: pjesa që mbulon standardet e përgjithshme të mësuesit dhe pjesa tjetër që lidhet me standardet lëndore. Në test, mësuesit do të vlerësohen për: njohjen e dokumentacionit zyrtar që lidhet me profesionin e mësuesit dhe që shërben si rregullator në punën e përditshme të mësuesit për çdo institucion arsimor, njohjen e dokumentacionit kurrikular të programit lëndor, njohuritë rreth aspekteve të pedagogjisë, metodologjisë dhe përdorimit të TIK-ut në mësimdhënie, njohuritë rreth aspekteve të etikës dhe të komunikimit, njohuritë rreth drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si dhe njohuritë rreth përmbajtjes shkencore të lëndës që zhvillon mësim.

Në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në vijim të masave parandaluese të përhapjes së tij, edhe në këtë sezon testimet për punësimin e mësuesve do të zhvillohen duke zbatuar me përpikmëri rregullat e përcaktuara nga strukturat mjekësore sa i takon respektimit të distancës, kujdesit për higjienën, si dhe mbajtjes së dorezave dhe maskave në ambientet e provimit. Gjithashtu, për të mos rrezikuar përjashtimin nga gara, në ditën e testimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal dhe kopje të tyre, si dhe formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DRAP. Sikundër ndodh edhe me provimet e shtetit, edhe për testin e informtaizuar për çdo mësues orari i pjesëmarrjes në provim do të jetë i përcaktuar dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar në faqen zyrtare të QSHA-së.

Lidhur me vlerësimin e testit, ekspertët sqarojnë se do të bëhet automatikisht nga sistemi kompjuterik, duke mundësuar njohjen me rezultatin menjëherë në përfundim të provimit. Sipas skemës së përcaktuar më herët, “Teza e testimit të informatizuar përmban 50 pyetje, përgjigjet e sakta të të cilave vlerësohen me 100 për qind, që konvertohen maksimalisht në 80 pikë. QSHA-ja bën konvertimin e vlerësimit të testimit të informatizuar dhe ua dërgon drejtorive rajonale të arsimit, si dhe Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar”. Ndërkohë që më herët janë zbardhur edhe pikët që secili kandidat ka siguruar në fazën e parë të konkurimit me dosje.

Renditja finale e çdo kandidati

Vlerësimi i kandidatëve, të cilët aplikojnë për t’u punësuar në vendet e lira që krijohen në profilin e tyre në qytetet ku kanë aplikuar përbëhet nga pikët që ai ka siguruar në fazën e parë të konkurimit nga pikët e dosjes, si dhe pikët e fituara nga testimi. Rezultati i këtyre dy treguesve përbën edhe pikët finale të mësuesit. Mësuesit që kanë siguruar nivelin më të lartë pikëve do të jenë të parët që do të ftohen të zgjedhin vendet e punës, sipas kuotave të lira të raportuara për çdo njësi vendore të arsimit në vend. “Renditja përfundimtare për çdo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2021. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës. Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit, apo lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë”, sqarohet në udhëzimin e miratuar më herët nga MASR. Po sipas këtij udhëzimi, kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit. Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati.

Fillimisht me mësuesin e përzgjedhur do të lidhet kontrata 1-vjeçare e punës. Në përfundim të kësaj periudhe mësuesi do të vlerësohet nga drejtoria e shkollës, si dhe këshilli i prindërve. Për rastet kur vlerësimi i këshillit të prindërve, apo i komisionit të shërbimit psiko-social nuk është pozitiv për cilësinë e shërbimit arsimor të ofruar nga mësuesi gjatë periudhës një vjeçare të provës, arsimtari e humbet vendin e punës që fitoi nëpërmjet testimit dhe konkurrimit me dosje.

Ditën e testimit çdo kandidat: 

  • Duhet patjetër të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para orarit të përcaktuar për zhvillimin e testit, teksa duhet të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike.
  • Duhet të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër nga kandidatët e tjerë.
  • Duhet të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumentin origjinal dhe kopje të tyre, si dhe formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DRAP.
  • Duhet të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit.
  • Nuk lejohen celularët, çantat dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e testimit.
  • Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker