Aktualitet

Qendrat sociale të Tiranës, drekë festive për Krishtlindje për njerëzit në nevojë, Veliaj: Vitin tjetër do të ringrihemi më të fortë e më të bashkuar

Dreka e Krishtlindjes u festua sot në të gjitha qendrat sociale të Tiranës, në të cilat u shërbye për grupe të vogla nga 10 persona. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shërbeu një vakt të ngrohtë për të moshuarit e Qendrës Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, ku u shpreh se në këto ditë festash askush nuk duhet të ndihet i vetëm.

“I uroj të gjithë qytetarët e Tiranës Gëzuar Festat! Kush e kishte menduar se vitin të cilin e kishim projektuar si një vit festimesh për 100 vjetorin, u kthye në një vit sfidash, pas tërmetit dhe pandemisë. Por, ambicja jonë për Tiranën në këtë fundvit është të japim mesazhin se do ngrihemi më të fortë, më të bashkuar dhe më mirë se ç’ishim”, tha ai.

Duke uruar për një vit të ri më të begatë, kryebashkiaku kërkoi më shumë bashkëpunim dhe solidaritet mes njerëzve, e sidomos për ata më në nevojë. “Qendrat tona sociale do të shtrojnë këto ditë vaktet e festave, që askush të mos ndihet i vetëm. Sëmundja e shekullit është vetmia. Ilaçi i vetëm që kemi për vetminë është zemra e hapur e dikujt nga dikujt tjetër. Ndaj, thirrja për qytetarët është: nëse do blini një gjel për familjen tuaj dhe i keni mundësitë, blini dy; njërin dhurojani një familje që ka nevojë. Nëse do blini një bakllava për familjen tuaj dhe i keni mundësitë, blini dy; njërën jepjani dikujt në nevojë. Nëse do i blini dhuratë fëmijës tuaj dhe e keni mundësinë, blini dy; një dhuratë për një fëmijë në nevojë në lagjen ku banoni”, tha Veliaj.

Edhe këtë vit, Bashkia e Tiranës ka nisur “Operacionin Kutia” – nismën që synon t’u vijë në ndihmë fëmijëve nga familje me kushte të vështira ekonomike. “Është një traditë që e bëjmë prej disa vitesh, ku secili fëmijë që ka mundësi, merr një kuti këpucësh, e mbush me lodra, dhe ia dërgon një fëmije tjetër. Duam që të gjithë fëmijët e Tiranës të festojnë dhe të kenë mundësi të hapin një dhuratë, pavarësisht kushteve ekonomike ku ndodhen. Nuk ka rëndësi motivi, por fakti që jemi bashkë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se të gjitha shërbimet do të jenë në gatishmëri gjatë gjithë periudhës së festave dhe mbrëmjes së ndërrimit të viteve.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker