Aktualitet

Rihapet dosja “Gërdeci”, Apeli i GJKKO-së pranon kërkesën e Prokurorisë, vendos rigjykim për ish-ministrin Fatmir Mediu

Rihapet çështja “Gërdeci”.

GJKKO ka rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë dhe të familjes Durda.

Vendimi është marrë në apelin e GJKKO e cila ka rrëzuar një vendim të mëparshëm të shkallës së parë.

GJKKO në një vendimarrje të datës 27 korrik refuzoi kërkesën e SPAK për të rihapur hetimet për Fatmir Mediun, ministër i mbrojtjes asokohe kur shpërtheu Gërdeci.

“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “PërOrganizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”, thuhet në vendimin e marrë sot nga Apeli i GJKKO.

Sipas vendimit të GJKKO të shkallës së parë, Prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej vitit 2012 nuk ka pasur imunitet për t’u hetuar dhe vepra është parashkruar.

Kujtojmë se Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit i janë drejtuar me një letër zyrtarisht Gjykatës së Posaçme, ku i kërkonin pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut. Në letrën drejtuar GJKKO, familja Durdaj shprehet se dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit.

Ndërkaq në shkurt të këtij viti, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes.

SPAK e trajtoi pozitivisht këtë kërkesë, duke e vlerësuar se ishte e drejtë të rifillonte ndjekja penale ndaj këtij personi dhe tashmë çështja është në dorën e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të 2008 rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, mes tyre dhe djali i familjes Durdaj, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker