AktualitetRajoni - Bota

Shokon deklarata e Boris Johnson: Nuk mbyllemi sërish sepse vdesin të moshuar nga Kovidi

Boris Johnson nuk donte që të mbyllte vendin me një karantinë të dytë vjeshtën e shkuar, duke argumentuar se ata që po vdisnin ishin kryesisht të moshuarit mbi 80 vjeç. Deklarata shokuese është bërë nga Dominic Cummings, ish-kryekëshilltari i Johnson, dikur krahu i tij i djathtë.

Cummings shpreh hapur, në intervistën e parë televizive pas largimit vitin e shkuar nga Downing Street, edhe kritika për sjelljen e kryeministrit. “Sjellja e tij si kryeministër, kryesisht gjatë karantinës së parë, ishte një katastrofë. Nuk duhet ta kishim bërë kurrë”.

Shokuese, sipas Cummings, është mënyra se si Johnson e mori situatën e pandemisë me shumë qetësi, duke ndryshuar mendim brenda ditës, për mënyrën se si Britania do të vepronte. “Sjellja e tij ishte e çuditshme. Njëherë thoshte se kjo gjë është pa sens dhe se karantina, gjithsesi nuk do të funksiononte dhe pastaj vendoste karantinë. Pastaj thoshte, është e tmerrshme, por fundja, ata që po vdesin janë kryesisht mbi 80 vjeç dhe ne nuk do shkatërrojmë ekonominë se po vdesin njerëz mbi 80 vjeç”. Madje, sipas tij, Johnson bënte edhe shaka me të moshuarit që prekeshin me Covid-19.

E çuditshme për ish-kryekëshilltarin e kryeministrit, që u dorëhoq gjatë pandemisë, është edhe fakti që Johnson kërkoi takim me Mbretëreshën, pikërisht në kohën kur autoritetet bënin thirrje për të shmangur takimet e panevojshme. “Mbrëmjen e 18 marsit 2020. Ai normalisht të mërkurave shkonte në takim te mbretëresha. Edhe atë ditë donte të shkonte. Tha: “Është ajo që bëj çdo të mërkurë. Shkoj tek ajo dhe e takoj”. Unë i thashë: “Në zyrën tonë janë izoluar shumë njerëz. Ndoshta je me koronavirus, ndoshta unë jam me koronavirus. Nuk mund të shkosh te mbretëresha. Po nëse shkon dhe ia ngjit Covid-in? Absolutisht nuk mund të shkosh. Nëse ajo sëmuret dhe vdes, çfarë do bësh? Nuk mund të rrezikosh. Është çmenduri”. Në fund tha: “Oh dreq, s’mund të shkoj”.

Deklaratat e Dominic Cummings në intervistën që nuk është publikuar ende e plotë, kanë shokuar britanikët, duke vënë në pikëpyetje menaxhimin e situatës pandemike nga kryeministri, në kohën kur Johnson ka humbur pikë në sondazhet më të fundit.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker