Aktualitet

Sondazhi i katërt i IPSOS-Top Channel/ PD fiton në Shkodër, PS fiton thellë në Vlorë. LSI humb 2 mandate, konfirmohet Tom Doshi

Në emisionin “Open” u publikuan këtë të mërkurë gjetjet e sondazhit të katërt të realizuar nga IPSOS dhe Top Channel për dy nga qarqet më të rëndësishme në vend, Shkodrën dhe Vlorën.

Nga data 8 deri më 12 prill, janë intervistuar 1004 votues në qarkun e Vlorës dhe 1003 votues në qarkun e Shkodrës, ndërsa 90% e intervistave janë bërë përmes telefonit dhe 10% përmes panelit online të IPSOS.

Të anketuarit i janë përgjigjur disa pyetjeve, mes të cilave përfshihet se në cilin drejtim po shkon Shqipëria, kë do të votonin nëse zgjedhjet do ishin këtë të diel si dhe sa mandate do të merrnin PD dhe PS në qarkun e Shkodrës e të Vlorës.

Drejtimi në të cilin po shkon Shqipëria, si përgjigjen qytetarët në qarkun e Shkodrës

Në qarkun e Shkodrës, rezulton se 49% mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e gabuar, 42% mendojnë se po shkon në drejtimin e duhur. Vetëm 5% mendojnë se nuk është as në drejtimin e duhur as në të gabuar, ndërsa 4% refuzojnë të përgjigjen.

Problemet më të mëdha që ka Shqipëria, si përgjigjen qytetarët e Shkodrës

Më shumë se 1 mijë votues në qarkun e Shkodrës kanë treguar tre problemet më të rëndësishme me të cilat përballet Shqipëria dhe janë më të shqetësuar personalisht, ku në vendin e parë renditet papunësia me 44%, më pas vjen kriza ekonomike me 37% dhe 17% pandemia nga Covid-19. Ndërsa shëndetësia shqetëson 14% të të anketuarve, 13% janë të shqetësuar nga pensionet/rrogat e ulëta, ndërsa 12% e cilësojnë si problem me të rëndësishëm emigrimin dhe ikjen e të rinjve.

Rezultati në Shkodër nëse do të votohej këtë të diel

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, aleanca e PD-AN do të fitonte zgjedhjet me 56.9% në qarkun e Shkodrës, ndërsa 29.4% e qytetarëve do të votonin për PS.

Një rritje e përkrahësve vihet re edhe në partinë Social Demokrate, e cila drejtohet nga Tom Doshi. Nga të dhënat e sondazhit, rezulton se 7.5% e qytetarëve në Shkodër do të votonin për PSD dhe 2.1% për LSI.
Ndarja e mandateve në qarkun e Shkodrës

Në sondazhin e katërt të IPSOS-Top Channel, rezulton se në qarkun e Shkodrës do të triumfojë aleanca PD-AN me 56.9% dhe do të marrë 7 mandate.
Ndërsa PS do të marrë 3 mandate, PSD, e drejtuar nga Tom Doshi vetëm 1 duke lënë kështu LSI pa asnjë mandat. Nëse bëhet një krahasim me zgjedhjet e vitit 2017, kur PD mori vetëm 5 mandate, vihet re se në zgjedhjet e ardhshme, 1 mandat i PS dhe i LSI do t’i kalojnë opozitës për të arritur në 7 mandate.

Drejtimi në të cilin po shkon Shqipëria, si përgjigjen qytetarët në qarkun e Vlorës

Në qarkun e Vlorës, rezulton se 56% mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur, 35% mendojnë se po shkon në drejtimin e gabuar. Vetëm 6% mendojnë se nuk është as në drejtimin e duhur as në të gabuar, ndërsa 3% refuzojnë të përgjigjen.

Problemet më të mëdha që ka Shqipëria, si përgjigjen qytetarët e Vlorës

Papunësia renditet e para me 37%, 31% krizën ekonomike dhe 20% pandeminë nga Covid-19. Ndërsa pensionet e ulta/rrogat e ulta shqetësojnë 15% të anketuarve, 13% janë të shqetësuar nga infrastruktura, ndërsa 10% e cilësojnë si problem me të rëndësishëm shëndetësinë dhe korrupsionin.

Problemet e tjera që shqetësojnë më shumë qytetarët e Vlorës janë: drejtësia/ mungesa e rregullit të ligjit 9%, shërbimet komunale (uji,dritat) 9%, standardet e ulta të jetesës/varfëria 8%, emigrimi/ikja e të rinjve 7%, arsimi 6%.

Rezultati në Vlorë nëse do të votohej këtë të diel

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, PS do të fitonte zgjedhjet me 60.1% në qarkun e Vlorës, ndërsa 32.1% e qytetarëve do të votonin për aleancën PD-AN.

LSI renditet e treta me 4% dhe Lëvizja për Ndryshim me 1.6%. Kujtojmë se Presidenti Ilir Meta, i cili drejtonte më parë LSI ka bërë thirrje të vazhdueshme nga Vlora se nuk do të lejojë vjedhjen e votës dhe ka bërë akuza të forta ndaj PS, por kjo duket se nuk ka ndikuar aspak tek të anketuarit, të cilët ia besojnë zgjedhjet e ardhshme sërish Partisë Socialiste.

Ndarja e mandateve në qarkun e Vlorës

Në sondazhin e katërt të IPSOS-Top Channel, rezulton se në qarkun e Vlorës do të triumfojë PS me 60.1% dhe do të marrë 8 mandate.

Ndërsa PD do të marrë 4 mandate dhe LSI, pavarësisht thirrjeve të forta të presidentit Meta se do të qëndrojë në këtë qark deri më 26 prill nuk ka bërë asnjë ndryshim në mendjen e qytetarëve të Vlorës sa i përket partisë që do i japin votën.

Nëse bëhet një krahasim me zgjedhjet e vitit 2017, PS nuk ka asnjë ndryshim, ndërsa PD i shtohet një mandat që i hiqet LSI. Kujtojmë se LSI ka pasur zëra për përçarje mes Luan Ramës që është i pari në listë dhe vetë drejtuesve të partisë.

Ndërsa rezultati i sondazhit tregon se Edi Rama, i cili renditet i teti në listën e PS do të marrë mandat.

Më herët Top Channel dhe IPSOS kanë publikuar sondazhet për qarkun Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Sipas rezultateve të këtij sondazhi, në Tiranë PS merr 48,1% që përkthehet në 19 mandate dhe PD, 42,6% në 16 mandate, ndërsa LSI me 3,4% vetëm 1 mandat. Në qarkun e Durrësit, PD merr 47,8% që përkthehet në 7 mandate dhe PS 44,8% po 7 mandate, ndërsa LSI merr 5,5%, por asnjë mandat. Ndërkohë në Elbasan PS merr 49% ose 8 mandate dhe PD 41% ose 6 mandate, ndërsa LSI asnjë mandat.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button

Adblock Detected

Please consider supporting us by disabling your ad blocker