Dhjetë vjet nga dita kur Papa Françesku shpalli Nënë Terezën shenjtore të Kishës Katolike, Shqipëria i riktheu nder figurës së saj më të ndritshme kombëtare. Bazilika e Nënës së Këshillit të Mirë në Shkodër u shndërrua të dielën në qendër të kremtimeve, me një meshë solemne të mbushur me lutje, adhurim dhe mirënjohje për jetën e gruas që i kushtoi çdo çast shërbimit ndaj të varfërve të botës.
Meshën e kryesoi Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit, i cili e cilësoi ditën si veçanërisht kuptimplote: "Është veçanërisht e bukur që këtë vit, këtë festë po e kremtojmë pikërisht në këtë vend, në këtë bazilikë. Në kuadrin e vitit jubilar kushtuar Zonjës së Këshillit të Mirë, do të falënderojmë Zotin për figurën e saj, për jetën e saj, përkushtimin e saj, për guximin dhe për shërbimin që Nënë Tereza ka pasur ndaj të varfërve."
Rroba të rralla dhe kostum tradicional shqiptar
Një nga momentet më emocionuese të ditës ishte ekspozimi i veshjeve origjinale të Nënë Terezës nga vitet e rinisë, përpara se ajo t'i përkushtohej jetës murgeshore. Dom Artur Jaku, rektor i Bazilikës, shpjegoi se këto rroba janë një dëshmi e rrallë e historisë personale të shenjtores — objekte që ruajnë gjurmë të drejtpërdrejta të jetës së Gonxhe Bojaxhiut shkodranë, para se ajo të bëhej ikonë botërore.
Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe kostumi tradicional shqiptar i Nënë Terezës. Etnografja dhe studiuesja e trashëgimisë kulturore kombëtare, Prof. Afërdita Onuzi, prezantoi rëndësinë historike dhe etnografike të kësaj veshjeje: "Arrita të bëj një ekspozitë me qëndisje artistike të punuara me mëndafsh, qëndisje nga qyteti i Shkodrës dhe nga Prizreni. Sigurisht në qendër të vëmendjes ishte kostumi i Nënë Terezës." Ekspozita rikujtoi lidhjet e thella të shenjtores me kulturën dhe trashëgiminë shqiptare — një lidhje që mbeti e gjallë edhe pasi ajo bëri të njohur emrin shqiptar në çdo cep të globit.
Lutje për Shqipërinë, familjet dhe të rinjtë
Gjatë kremtimit, lutjet e besimtarëve u drejtuan për Shqipërinë, familjet, të sëmurët, të varfrit dhe sidomos për brezin e ri. Mesazhi qendror i ditës mbeti ai i Nënë Terezës vetë: të bësh mirë çdo ditë, edhe me gjërat më të vogla, por gjithmonë me dashuri të pakufishme.
Nënë Tereza, e lindur Gonxhe Agnesë Bojaxhiu në Shkup më 1910, me rrënjë shqiptare nga Shkodra, është figura më e njohur shqiptare në histori. Ajo kaloi dhjetëvjeçarë duke shërbyer të varfërit e Kalkutës dhe themeloi Urdhrin e Motrave të Dashurisë. Papa Gjoni Pali II e shpalli të lume në vitin 2003, ndërsa shenjtërimi u bë me 4 shtator 2016. Dhjetëvjetori i këtij shenjtërimi vjen si kujtesë se trashëgimia e saj nuk i përket vetëm Kishës — ajo i përket të gjithë shqiptarëve dhe njerëzimit.
BurimiRTSH



