Gjashtëdhjetë deputetë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përfaqësues të 23 shteteve anëtare dhe katër grupeve politike, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët me të cilën dënojnë ashpër glorifikimin shtetëror të Ratko Mlladiqit nga autoritetet serbe. Mlladiqi, ish-komandant i forcave ushtarake të Republika Srpska, u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të rënda të ligjeve të luftës. Deklarata u bë publike më 30 shtator 2026 dhe u iniciua nga deputetja britanike Alicia Kearns.
Kearns vuri në dukje se me nderimin e Mlladiqit, shteti serb ka ndërmarrë "një sulm të llogaritur ndaj atyre që mbijetuan falë rastësisë së fatit". Sipas saj, mohimi dhe glorifikimi institucional i krimeve nuk janë thjesht një çështje historike, por një vazhdim simbolik i dhunës ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. "Ajo që fillon me dhunë vazhdon përmes falsifikimit të historisë", thuhet në deklaratën e nënshkruar nga 60 ligjvënës evropianë.
Çfarë dënojnë deputetët
Në dokumentin e tyre, ligjvënësit e Këshillit të Evropës dënojnë çdo përpjekje institucionale për të mohuar ose lartësuar krimet për të cilat Mlladiqi është shpallur fajtor. Ata përmendojnë shprehimisht gjenocidin në Srebrenicë, rrethimin vrasës të Sarajevës, spastrimin etnik në Foçë, Vlasenicë dhe Prijedor, kampet e burgosjes për civilët boshnjakë e kroatë, dhunën seksuale të organizuar dhe marrjen peng të personelit të OKB-së si krime që nuk mund të bëhen objekt nderimi nga asnjë shtet.
Deklarata kritikon hapur edhe ceremonitë e varrimit të Mlladiqit në Beograd, të mbajtura më 7 shtator 2026, ku morën pjesë mijëra persona, zyrtarë serbë dhe u përdorën elemente të protokollit shtetëror si flamuri kombëtar dhe struktura ushtarake. "Vajtimi privat është e drejtë e çdo familjeje — nderimet shtetërore nuk janë të tilla", theksohet në deklaratë. Sipas nënshkruesve, nderimet zyrtare ndaj një personi të dënuar për gjenocid u dërgojnë të mbijetuarve mesazhin se krimet mund të paraqiten si burim krenarie kombëtare.
OKB-ja dhe reagimet ndërkombëtare
Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësim të thellë. Këshilltari Special i OKB-së për Parandalimin e Gjenocidit, Chaloka Beyani, ka vlerësuar se ceremonitë publike të përkujtimit të Mlladiqit, të shoqëruara me figurat politike serbe dhe protokollin zyrtar shtetëror, janë "thellësisht të papërshtatshme" dhe relativizojnë krimet e rënda të së drejtës ndërkombëtare.
Ratko Mlladiqi ndërroi jetë në fund të gushtit 2026, ndërsa eshtrat e tij u kthyen nga Haga në Serbi. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e kishte shpallur fajtor për të gjitha akuzat kryesore, dhe dënimi me burgim të përjetshëm u la në fuqi edhe pas apelimit në vitin 2021. Reagimet e 60 deputetëve evropianë dhe të OKB-së sinjalizojnë se glorifikimi serb i figurave të dënuara për gjenocid mbetet një pengesë serioze në rrugën e Beogradit drejt integrimit evropian dhe pajtimit rajonal.
Shiko edhe
BurimiGazeta Expres



