Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që reformon në thelb kuadrin ligjor të akuakulturës në Shqipëri. Ndryshimet, që rishikojnë ligjin nr. 103/2016, synojnë të tërheqin investime të reja, të thjeshtojnë procedurat administrative dhe të modernizojnë mënyrën si zhvillohet kultivimi i organizmave ujorë në vend.
Kontrata uniforme 20-vjeçare për të gjithë investitorët
Njëri prej ndryshimeve më të rëndësishme është unifikimi i afatit të kontratave. Legjislacioni aktual parashikon kohëzgjatje të ndryshme — deri në 10, 15 ose 20 vjet — në varësi të vlerës së investimit. Projektligji i ri e heq këtë diferencim dhe përcakton qartë se kohëzgjatja e kontratës për çdo veprimtari akuakulture, qoftë në sipërfaqe tokësore apo ujore, do të jetë 20 vjet, pavarësisht madhësisë së investimit.
Për investimet që realizohen mbi toka publike, afati do të lidhet me kohëzgjatjen e kontratës së shfrytëzimit të pronës, pa tejkaluar kufirin e 20 viteve. Veprat infrastrukturore të nevojshme duhet të përfundojnë brenda tre viteve nga nënshkrimi i kontratës. Ministria argumenton se sektori i akuakulturës kërkon investime të larta fillestare dhe periudha të gjata rikuperimi, ndaj kontrata afatgjatë ofron siguri më të madhe për operatorët dhe lehtëson aksesin e tyre në financim.
Hiqet detyrimi për zonat e posaçme të akuakulturës
Ndryshim tjetër i dukshëm lidhet me mekanizmin e Zonave të Përcaktuara për Akuakulturë (ZPA). Sipas rregullave aktuale, çdo aktivitet akuakulture kërkon miratimin paraprak të një zone të tillë. Projektligji e kufizon këtë detyrim vetëm për hapësirat detare, ndërsa kultivimi i peshkut në ujërat e brendshme dhe në sipërfaqe tokësore do të mund të nisë pa kaluar nëpër këtë procedurë. Sipas relacionit shpjegues, ky mekanizëm ka rezultuar i vështirë për t'u zbatuar, sidomos nga fermat e vogla që operojnë në kushte të kontrolluara prodhimi.
Rregullat e reja diferencojnë edhe mënyrën e marrjes së të drejtës për ushtrimin e veprimtarisë. Investimet në zona detare dhe ujëra të brendshme do t'i nënshtrohen konkurrimit publik, ndërsa pronat private përjashtohen nga ky proces, me detyrimin për të lidhur kontratë me ministrinë dhe për t'u pajisur me licencë. Qiraja për sipërfaqet ujore do të miratohet me udhëzim të përbashkët të ministrave përgjegjës për bujqësinë dhe financat.
Projektligji fut gjithashtu për herë të parë rregullime të posaçme për akuaponinë — teknologjia që kombinon rritjen e peshkut me kultivimin e bimëve në sistemin e njëjtë. Mbetjet organike të peshkut shërbejnë si lëndë ushqyese për bimët, të cilat nga ana e tyre pastrojnë ujin. Edhe investimet në akuponi do të kërkojnë kontratë, licencë dhe, sipas rastit, leje shtesë mjedisore.
Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë e zgjerimit të kapaciteteve prodhuese ose ndryshimit të llojeve të peshkut të kultivuar, pas një vlerësimi teknik dhe verifikimi të kushteve mjedisore. Operatorët me detyrime të pashlyera mund të humbasin të drejtën e rinovimit të kontratës. Qeveria do të ketë një vit nga hyrja në fuqi e ligjit për të miratuar aktet nënligjore. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, reformat lidhen edhe me procesin e negociatave me Bashkimin Europian, konkretisht me Kapitullin 13 mbi peshkimin.
BurimiMonitor



