Me përfundimin e kontratës dhjetëvjeçare të partneritetit publik-privat për shërbimin e hemodializës, shteti shqiptar ka nisur procedurën e prokurimit për të kontraktuar sërish këtë shërbim në pesë spitale rajonale. Fondi i parashikuar në tenderin e ri rezulton ndjeshëm më i lartë se çdo pagesë e kryer gjatë periudhës koncesionare, duke ngritur pyetje mbi eficiencën e modelit të ri financiar.
Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit sh.a. ka shpallur procedurën e hapur për ofrimin e shërbimit të hemodializës në qendrat pranë spitaleve të Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 1 shtatori, ndërsa financimi parashikohet si vetëfinancim nga buxheti i shtetit.
Shifrat që bien në sy
Fondi limit i tenderit është vendosur në rreth 4.59 miliardë lekë për një marrëveshje kuadër me kohëzgjatje 48 muaj, që do të thotë mesatarisht rreth 1.15 miliardë lekë në vit. Kjo vlerë është 23.2% më e lartë se pagesa rekord e vitit 2025, kur buxheti shoi 932 milionë lekë për koncesionin — shuma më e madhe e gjithë periudhës. Krahasimi me pagesen mesatare vjetore të periudhës 2017–2025, e cila qëndroi në rreth 769 milionë lekë, e bën diferencën akoma më të spikatur: tenderi i ri parashikon 43% më shumë.
Gjatë nëntë viteve të zbatimit të kontratës PPP, pagesat vjetore u rritën në mënyrë progresive: nga rreth 370 milionë lekë në vitin 2017, ato u dyfishuan thuajse në 739 milionë lekë më 2018, duke arritur kulmin në 932 milionë lekë në 2025. Shuma totale e paguar gjatë gjithë periudhës koncesionare arriti në rreth 6.9 miliardë lekë. Ndërkohë, vetëm për katër vitet e kontratës së re, shteti parashikon të shpenzojë 4.59 miliardë lekë — rreth 30% më shumë se pagesat e kryera gjatë katër viteve të fundit të PPP-së.
Konteksti i kontratës dhe hapat e ardhshëm
Kontrata origjinale PPP për hemodializën u nënshkrua në shkurt 2016 me një afat dhjetëvjeçar. Ajo parashikonte një tarifë fikse prej 11.203 lekësh për çdo seancë dialize dhe mbulonte pesë qendrat rajonale. Me përfundimin e saj, infrastruktura dhe pajisjet kalojnë nën administrimin shtetëror, por vetë shërbimi do të ofrohet sërish nga një operator privat i zgjedhur nëpërmjet prokurimit të ri.
Vlera prej 4.59 miliardë lekësh përbën fondin maksimal të parashikuar — shuma përfundimtare do të varet nga oferta fituese dhe kontratat specifike gjatë zbatimit të marrëveshjes. Megjithatë, diferenca e lartë me kostot historike të shërbimit të njëjtë krijon hapësirë për shqyrtim nga organet e mbikëqyrjes buxhetore dhe institucioni i auditimit të shtetit, sidomos në kushtet kur buxheti i shëndetësisë mbetet nën presion të vazhdueshëm.
BurimiMonitor



