Edhe pse Shqipëria gëzon një pasuri të jashtëzakonshme natyrore — nga brigjet e Adriatikut dhe Jonit, deri te liqenet dhe Alpet shqiptare — realiteti ekonomik i shumicës së familjeve mbetet i rëndë. Mbi gjysma e tyre, konkretisht 53%, nuk kanë mundësi të financiojnë as një javë pushime në vit larg shtëpisë. Ky është konkluzioni i të dhënave të fundit të Eurostat, që e vendosin Shqipërinë ndër vendet me privimin më të lartë ekonomik në Europë sa i përket këtij treguesi.
Të dhënat për Shqipërinë i përkasin vitit 2023, ndërsa ato për vendet europiane janë të vitit 2025. Sipas tyre, Shqipëria renditet e dyta pas Rumanisë — vend ku kjo përqindje kalon shifrën 60%. Pas Shqipërisë vijojnë Turqia me rreth 51%, Maqedonia e Veriut me afërsisht 48% dhe Greqia me rreth 47%, duke treguar se ky fenomen është veçanërisht i përhapur në Europën Juglindore dhe në ekonomitë me të ardhura të ulëta.
Shqipëria, shumë larg mesatares europiane
Mesatarja e Bashkimit Europian qëndron në rreth 27% — pothuajse sa gjysma e nivelit të Shqipërisë. Kjo do të thotë se gati dy herë më shumë familje shqiptare janë të paafta të përballojnë pushimet, krahasuar me familjet e vendeve anëtare të BE-së. Edhe vendet fqinje shënojnë shifra dukshëm më të favorshme: Serbia regjistron rreth 36%, Bullgaria dhe Hungaria afërsisht 39%, ndërsa Italia, Kroacia dhe Portugalia luhaten në intervalin 32–33%.
Në skajin tjetër të shkallës, vendet me të ardhura të larta si Holanda dhe Suedia raportojnë nivele prej 12–13%, ndërsa Zvicra, Norvegjia dhe Luksemburgu shënojnë përqindjet më të ulëta në Europë — nën 11%. Edhe në Gjermani dhe Irlandë, vetëm rreth një familje në pesë nuk mundet t'i kryejë pushimet, shifër kjo që mbetet shumë nën atë të Shqipërisë.
Çfarë mat realisht ky tregues
Është e rëndësishme të sqarohet metodologjia e Eurostat: ky tregues nuk mat nëse një familje ka udhëtuar faktikisht me pushime, por nëse ka kapacitetin financiar të paguajë një javë larg shtëpisë, qoftë brenda apo jashtë vendit. Nëse një familje zgjedh të mos udhëtojë për arsye personale, pa patur kufizim financiar, ajo nuk llogaritet si e privuar.
Pozicioni i Shqipërisë në këtë renditje pasqyron nivelin e ulët të të ardhurave të familjeve dhe hapësirën shumë të ngushtë që mbetet për shpenzime jo jetike, pasi mbulohen kostot bazë si ushqimi, strehimi, energjia dhe transporti. Edhe pse pushimet nuk janë domosdoshmëri, paaftësia për t'i përballuar ato trajtohet nga Eurostat si një ndër treguesit kryesorë të standardit të jetesës dhe të privimit material. Për Shqipërinë, ky tregues ngre pyetje serioze rreth efektivitetit të politikave sociale dhe ekonomike që synojnë rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
BurimiJava News



