Evis Sala ka lënë pas detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke konfirmuar dorëheqjen e saj përmes një postimi në rrjetet sociale. Vendimi, sipas saj, vjen si pasojë e disa angazhimeve ndërkombëtare të rëndësishme në fushat e onkologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit — fusha ku ajo është specialiste. Sala sqaroi se mbledhja e fundit e kabinetit qeveritar shënoi edhe ditën e fundit të saj si anëtare e qeverisë.
Në mesazhin e saj, ish-ministrja falënderoi kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, por edhe të gjithë stafin mjekësor, infermierët dhe punonjësit e sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale. "Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar", shkroi Sala.
Bilanci i një viti: reforma në onkologji dhe digjitalizim
Sala bëri publik edhe një bilanc të punës së kryer gjatë vitit të saj në krye të ministrisë. Ndër arritjet kryesore, ajo përmendi ngritjen e Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe fillimin e ndërtimit të Rrjetit Kombëtar Onkologjik. Partneriteti me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano, sipas saj, synon të transferojë në Shqipëri modele të avancuara europiane të kujdesit ndaj pacientëve me kancer. Gjatë këtij viti janë miratuar 38 protokolle të unifikuara trajtimi dhe janë përmirësuar tre qendra ditore të kimioterapisë.
Në fushën e barnave, Sala theksoi se për vitin 2026 janë shtuar 26 milionë euro për barnat antitumorale, janë futur 21 barna inovative dhe lista e barnave antitumorale për përdorim spitalor është zgjeruar me 23%. "17% më shumë pacientë me kancer janë trajtuar nga ky zgjerim", shkroi ajo, duke e cilësuar këtë si rezultatin më domethënës të reformës. Është vënë gjithashtu në funksion akseleratori i tretë i radioterapisë, ndërsa pritet së shpejti edhe i katërti.
Ish-ministrja nënvizoi edhe hapat e ndërmarrë drejt digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore, me nisjen e kalimit drejt spitaleve pa dokumentacion letre, ku informacioni klinik ndjek pacientin në kohë reale, me mbështetjen e inteligjencës artificiale. Ndër shërbimet e reja të ofruara renditi trombektominë dhe DSA-në në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", si dhe laboratorin e ri të hemodinamikës në Spitalin "Shefqet Ndroqi".
Parandalimi, pagat dhe mirëqenia sociale
Sala evidentoi gjithashtu heqjen e kufirit të moshës për kontrollin vjetor shëndetësor, dyfishimin e përfituesve të programeve të depistimit për kancerin e gjirit dhe të qafës së mitrës, si dhe zgjerimin e vaksinimit kundër HPV-së. Në fushën sociale, nga 1 korriku janë dyfishuar pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe janë njohur kontributet shoqërore për kujdestarët e tyre.
Rritja e pagave për rreth 20 mijë mjekë dhe infermierë, realizuar në janar, u rendite si një nga angazhimet kyçe të periudhës. Largimi i Salës nga drejtimi i ministrisë hap rrugën për emërime të reja në kabinetin qeveritar, ndërkohë që ajo vetë konfirmon vazhdimin e kontributit për Shqipërinë nëpërmjet rrjetit të saj ndërkombëtar profesional.
BurimiRTSH



