Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi të mërkurën se po pezullon çdo angazhim për formimin e institucioneve të Kosovës, duke e lidhur këtë vendim drejtpërdrejt me nismën e nisur brenda partisë për shkarkimin e tij nga drejtimi i LDK-së. Deklarata erdhi vetëm orë pasi deputeti Armend Zemaj dhe kryetari i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi, dorëzuan nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë.
Abdixhiku drejtoi një mesazh publik ndaj anëtarësisë, votuesve dhe qytetarëve të Kosovës, duke shpjeguar arsyet e vendimit: «Për shkak të kësaj nisme, më duhet t'ju njoftoj se detyrohem t'i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës». Sipas tij, do të ishte e papërgjegjshme të negocionte në emër të LDK-së në një moment kur mandati i tij si kryetar është vënë në pikëpyetje brenda vetë partisë.
Abdixhiku: «Nuk e kam kërkuar këtë betejë, por nuk do të iki»
Kryetari i LDK-së e cilësoi situatën si «betejë për karrige» dhe shprehu keqardhje që vëmendja po shmanget nga procesi i ndërtimit të institucioneve. Ai paralajmëroi se pasojat do t'i ndjejë kryesisht populli i Kosovës, duke mos përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja në vjeshtë. «Ndiej keqardhje që vëmendjen duhet ta kthej nga vetja në një betejë që mund të na dëmtojë në mënyrë të pariparueshme nga brenda dhe ta lërë Kosovën pa institucione», deklaroi ai. Megjithatë, Abdixhiku tha se nuk do të largohet vullnetarisht: «Nuk e kam kërkuar këtë betejë, por nuk do të ikom. Asnjë pozitë nuk është më e madhe se besimi i njerëzve».
Abdixhiku ka autorizuar sekretarin e përgjithshëm të LDK-së që të nisë menjëherë procedurat statutore për organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Sipas statutit të partisë, ky Kuvend duhet të mbahet brenda 60 ditëve nga dorëzimi i nënshkrimeve. Kuvendi i LDK-së numëron 354 delegatë, plus kryetarin, dhe njëe treta e tyre ka të drejtë ta thërrasë.
Reagimet brenda LDK-së: Hoti, Gashi dhe Haziri
Nisma për shkarkimin e Abdixhikut u nis si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, kur LDK-ja doli e treta për herë të tretë radhazi. Deputeti i zgjedhur Avdullah Hoti shkroi se «forca e LDK-së është vullneti i anëtarësisë, jo ambicia e individëve», ndërsa Arben Gashi e cilësoi thirrjen e Kuvendit si «ushtrim të demokracisë së brendshme dhe të përgjegjësisë politike».
Nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, konfirmoi se nënshkrimet do të verifikohen nga sekretariati, duke thënë se LDK-ja di ta vetëmenaxhojë procesin. Haziri refuzoi të komentonte mundësinë konkrete të shkarkimit të Abdixhikut, duke i cilësuar pyetjet mediatike si paragjykuese. Vlen të kujtojmë se tri degë të LDK-së — ajo e Pejës, Lipjanit dhe dega e dytë e Prishtinës — i kishin kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut që muajin e kaluar, kërkesë që ai e kishte refuzuar kategorikisht.
Kriza e brendshme e LDK-së vjen në një moment delikat për Kosovën, kur bisedimet mes partive politike për formimin e qeverisë ishin duke u zhvilluar me intensitet. Pezullimi i pjesëmarrjes së LDK-së në këto negociata rrezikon të ngadalësojë procesin institucional dhe të lërë vendin pa strukturat e nevojshme ekzekutive për muaj të tjerë.



