Kryetarët e Gjykatave të Republikës së Shqipërisë zhvilluan sot një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën shqyrtuan situatën kritike të krijuar nga mosprocedimi i pagave të gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore. Qëndrimi i dalë nga kjo mbledhje është i qartë: pagat duhet të zhbllokohen menjëherë dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese duhet zbatuar në tërësinë e tij, pa interpretim të njëanshëm apo zbatim selektiv.
Paga nuk është favor, është detyrim
Kryetarët e gjykatave theksuan se gjyqtarët dhe punonjësit e administratës gjyqësore kanë vazhduar të kryejnë detyrën e tyre çdo ditë, pavarësisht se pagat nuk u janë proceduar. Sipas qëndrimit institucional të mbledhjes, kjo gjendje është e pajustifikueshme, sidomos për administratën gjyqësore, e cila nuk është palë fare në debatin teknik mbi formulën e pagës së magjistratëve.
"Paga për punën e kryer nuk është favor. Është detyrim. Shqetësimi i krijuar në radhët e administratës gjyqësore është real dhe nuk mund të nënvlerësohet", thuhet në njoftimin zyrtar të mbledhjes. Tensioni i shfaqur gjatë ditës, sipas të njëjtit dokument, është pasojë e drejtpërdrejtë e mospagimit të zgjatur.
Mbledhja mbështeti kërkesën e ligjshme të punonjësve për marrjen e pagave, por shtoi se kjo nuk legjitimon forma reagimi që cenojnë vijimësinë e funksionimit të institucioneve gjyqësore. Drejtësia duhet të garantohet pa ndërprerje, pavarësisht presioneve financiare apo administrative.
Vendimi kushtetues nr. 15 i vitit 2026 është i detyrueshëm
Në qendër të debatit qëndron vendimi përfundimtar nr. 15, datë 17 shkurt 2026, i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka rikonfirmuar nivelin e pagës së gjyqtarëve që nga viti 2016. Kryetarët e gjykatave sqaruan se gjyqësori nuk pretendon të vendosë vetë për pagën e tij, por kërkon që ky vendim — i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm — të zbatohet ashtu siç është hartuar, jo të lexohet në mënyrë të fragmentuar.
Vetë Gjykata Kushtetuese, nëpërmjet një deklarate publike të datës 7 shtator 2026, kishte ritheksuar se arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin e saj zyrtar dhe se respektimi i tyre rrjedh drejtpërdrejt nga rendi kushtetues. Kryetarët e gjykatave shtuan se "asnjë institucion nuk mund të zgjedhë cilën pjesë të një vendimi kushtetues do ta zbatojë e cilën do ta shtyjë".
Në qëndrimin e tyre institucional, kryetarët e gjykatave vënë theksin edhe te rreziku strukturor që ky bllokimi paraqet: kur shteti nuk procedon pagat e gjyqtarëve dhe kundërshton efektet e vendimeve kushtetuese, preket drejtpërdrejt pavarësia e gjyqësorit si shtyllë e sistemit demokratik. Paprekshmëria e pagës së gjyqtarit, siç shpjegojnë ata, nuk është privilegj personal, por garanci kushtetuese për çdo qytetar që kërkon drejtësi të pavarur. Çështja pritet të mbetet në vëmendjen e institucioneve gjatë ditëve në vijim.
BurimiRTSH



