Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se institucionet kosovare janë në bisedime të vazhdueshme me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimin e kontrollit të saj në duart e Policisë së Kosovës. Deklarata erdhi gjatë një konference për media të mbajtur më 22 gusht, ku Kurti theksoi se çdo gjë duhet të ecë "në mënyrë të qetë dhe paqësore".
"Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore", deklaroi Kurti. Pasditen e së shtunës, ai kishte planifikuar një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozgan Ulutash.
Kurti e cilësoi si tërësisht të paarsyeshme faktin që ura vazhdon të mbetet e mbyllur për automjete. "Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë", theksoi ai.
KFOR-i tërhiqet gradualisht, Serbia kundërshton
Ura kryesore mbi Ibër lejon aktualisht vetëm kalimin e këmbësorëve. Që prej mbarimit të luftës, KFOR-i e ka mbajtur nën mbikëqyrje këtë strukturë, e cila ndër vite ka shërbyer si pikë ndezjeje e tensioneve ndëretnike. Tanimë misioni i NATO-s ka njoftuar për fillimin e procesit të tërheqjes graduale nga pozicionet mbi urë, pasi gjendja e sigurisë është vlerësuar si e përmirësuar.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj këtij procesi. Nëpërmjet një letre drejtuar shefit të NATO-s, Mark Rutte, dhe një postimi në rrjetet sociale, Vuçiq kërkoi ndalimin e çdo veprimi që lidhet me urën, duke pretenduar se tërheqja e KFOR-it do të "krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe" në veri të Kosovës. Kurse NATO sqaroi se procesi bazohet në vlerësime profesionale të situatës reale në terren dhe mund të rishikohet sipas nevojave të sigurisë.
Kosova akuzon Serbinë për devijim vëmendjeje
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, hodhi poshtë narrativën serbe, duke e konsideruar atë si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga zbulimi i varreve masive në veri të Kosovës, gjetja e armëve pranë lokacioneve me mbetje mortore dhe operacionet kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës serbe. Sipas tij, procesi i optimizimit të KFOR-it "nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë".
Qeveria e Kosovës kishte lajmëruar hapjen e urës edhe për automjete që në korrik 2024, nismë që solli reagime të forta. Ndërkohë, janë ndërtuar dy ura shtesë pranë asaj kryesore — njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete — me qëllim lidhjen e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut. Ura kryesore mbi Ibër mbetet ndër pikat më të ndjeshme strategjike në veriun e Kosovës, dhe çdo lëvizje rreth saj reflektohet menjëherë në dinamikat politike rajonale.
BurimiEuro news Albania



