Nuk ka nevojë të përmendim emra, por dihet kush janë figurat mbi të cilat gjykata dhe vetë SPAK-u me tellallin e tij mediatik ka mbajtur disa standarde lidhur me masat, me qasjen dhe gjithë skenarët e ndryshëm që ka ndërtuar.
Për të qenë të qartë për të disatën herë, meqë disa megafonë të shqetësuar na i shikojnë shkrimet me lupë për të ndriçuar fanarët e negativitetit, kur i djeg i vërteta, se gjasme ne që shkruajmë për procesin e Veliajt, shkruajmë se shmangim vëmendjen ndaj akuzave të tij, theksoj se në krye të herës këto dy struktura si GJKKO dhe SPAK ne i kemi quajtur politike.
Gjykatat Speciale kudo në botë, kush ka dy pare mend dhe ka lexuar, dihet se janë struktura brenda drejtësisë që kanë qasje politike.E për ta vijuar argumentin askush nuk përpiqet të heq vëmëndjen publike nga akuzat e Veliajt. Edhe mesa kam parë as Veliaj vetë.Veliaj ka një deklaratë në sallë të gjyqit që thotë, “kishit inceneratorët edhe nuk me ngritët asnjë akuzë”.
Fakti që disa “kasap të tellallit mediatik” kërkojnë me epsh e jarg së brendshmi dënimin e Veliajt se e urrejnë atë kjo nuk na bën, që ne vetëm se ka 13, 15, 25 akuza të mos e shohim drejtësinë dhe romanet e SPAK-ut me kritikë.
Ne për këtë punë jemi këtu për të folur sidomos për atë që publiku ka pasur dhe pritshmërinë më të lartë, drejtësinë.
Edhe të them të drejtën më vjen dhe keq se së fundmi SPAK në sondazhe ka rënë me gati 11 pikë.Pra gjithë ajo risi si “Ferrari” në Formula 1 dikur, tani është katandisur si një “Golf 3” që duket sikur përsërit vetveten me ato lajme që i dërgon tellallit mediatik dhe kasapëve të mbajnë gjallë jargavanin e urrejtjeve vetëm e vetëm se i prishet një pazar, një ekulibër, një plan, një krenari dhe mbi të gjitha u prishet mendimi se drejtësinë mund ta përdorin politikisht si t’i dojë kokrra e qejfit.
E në këtë kuadër ne do duhet vazhdimisht të përsërisim për t’ia hequr makeupin drejtësisë dhe SPAK-ut se vetëm kështu mund ta tredhim “ushtrinë digjitale” që ndez karvanin e saj të lodhur për të ndërtuar gjyqin popullor, duke mbajtur në fokus gjyqtarët dhe intimiduar ata se gjasme “po lironi hajdutin”.
Në fakt gjyqtarët duhet ta lirojnë Veliajn për një arsye që nuk lidhet fare me pasojat e eksitimit të parrullave që lëshon tellalli i SPAK-ut por për të qenë “fair” me qasjen ndaj gjithë politikës ligjore që gjykatat dhe prokuroria speciale ka ndërtuar.
Nuk mund të ndërtosh dy standarde për të mandatuarit. Të mandatuarit që aq me tepër kanë mbi krye një vendim të Kushtetueses që buçet ndoshta pa bujë, por që është i vërtetë.
Zhurma që lëngon kur i shkel këmbën e vërteta nuk do të thotë se ka të drejtë mbi të vërtetën e heshtur.Një i mandatuar që nuk dha asnjë shkak të vetëm t’i largohet detyrës dhe nuk ndërtoi asnjë rezistencë për të ndaluar procesin ligjor, e për më tepër një i mandatuar është futur në paraburgim me një dy letra anonime në një kohë kur Shqipëria aspiron dhe shqyrton grup-kapitujt për sundimin e ligjit, kjo do ishte “fair” që Veliaj të lirohej.
Loja politike e “Special” politikes do të ishte e drejtë.
Po e vërteta e hidhur është se ata daljen e Veliajt e shohin si një pasqyrim politik, ashtu siç vetë veprojnë dhe jo si një pasqyrim i drejtësisë.
Dalja e tij në opinionin publik do të rrëzonte gjithë “serbesin” e tyre të lëshuar nga “korbat” e tellallit dhe do të ndërtonte narrativën se ai fitoi gjasme politikisht mbi SPAK-un.
Ndërkohë ajo që ngatërrojnë disa këtu, është se “koka e turkut” të drejtësisë së re që u rregjistrua si statistika kryesore e suksesit dhe u shit në kancelari sikur kapën të vetmin të mandatuar në detyrë përpara drejtësisë, e nxorri zbuluar gjithë kalbësirën e drejtësisë.Se siç thotë rëndom gjuha popullore, dolën dhe i gjetën “brekët” e 2003 për ta futur brenda, ndërkohë që standardi i gjakut, i shtëllungës së predhave të plasura, i vjedhjeve galopante në detyrë, fle mullar mbi drejtësinë e re dhe tellalli hesht.
Ndaj, për të gjitha këto, është “fair” që ai të dalë. Se hetimi me një standard do i bënte nder vetë atyre që e bën çorbë këtë punë.
BurimiNga Hermes Kafexhiu


