Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka paraqitur projektligjin "Për tregtimin e produkteve të ndërtimit", një dokument ligjor që synon të sjellë rregullimin e tregut të materialeve të ndërtimit në linjë me Rregulloren e re të Bashkimit Europian (CPR 2024). Për herë të parë, legjislacioni shqiptar do të vendosë një regjim tërësisht të ri sanksionesh administrative, shumë më të rreptë se kuadri i vjetër ligjor. Qëllimi deklaruar i projektligjit është goditja e drejtpërdrejtë e falsifikimeve, tregtimit të produkteve pa dokumentacion teknik dhe vendosjes në treg të materialeve që rrezikojnë sigurinë publike.
Katër nivele gjobash — deri në 2% të xhiros vjetore
Skema e re e penaliteteve ndahet në katër shkallë rëndësie, duke u aplikuar ndaj prodhuesve, importuesve, shpërndarësve dhe përfaqësuesve të autorizuar. Shkeljet e lehta, si mungesa e elementeve bazë të gjurmueshmërisë apo vonesa në përditësimin e të dhënave, gjobiten me 50,000 lekë. Shkeljet mesatare — parregullsi në etiketim apo udhëzimet e përdorimit — sjellin gjobë deri në 100,000 lekë, ndërsa mosbashkëpunimi me trupat e mbikëqyrjes dhe mospërmbushja e detyrimeve administrative penalizohen me 150,000 lekë.
Masa më e rëndë financiare rezervohet për shkeljet që cenojnë drejtpërdrejt sigurinë e qytetarëve: vendosja në treg e produkteve pa Deklaratë Performance apo Konformiteti, me markim CE të falsifikuar ose me dokumentacion teknik të mangët. Për këto raste, gjoba llogaritet si 2% e xhiros vjetore të operatorit, me një prag minimal prej 200,000 lekësh nëse përqindja e xhiros rezulton nën këtë shumë.
Sanksione edhe për tregtinë online dhe organet e certifikimit
Një risi e rëndësishme e projektligjit është shtirja e regjimit të sanksioneve edhe mbi platformat e tregtimit online dhe ofruesit e shërbimeve logjistike. Nëse këto platforma lejojnë shitjen e materialeve pa dokumentacionin e kërkuar ligjor, do të përballen me gjoba dhe urdhër për heqje të menjëhershme të përmbajtjes nga rrjeti — një masë që pasqyron rritjen e tregtisë dixhitale edhe në sektorin e ndërtimit.
Kontrolli rritet gjithashtu mbi Organet e Miratuara — laboratorët dhe trupat certifikues. Për shkelje procedurale apo konflikt interesi, gjobat për këto organe variojnë nga 80,000 deri në 300,000 lekë. Përtej penaliteteve financiare, atyre mund t'u pezullohet ose hiqet tërësisht miratimi ligjor për të ushtruar veprimtarinë.
Projektligji parashikon edhe një mekanizëm parandalues ndaj shkelësve të përsëritur: nëse i njëjti operator kryen të njëjtën shkelje brenda dy viteve, gjoba rritet automatikisht me 50%. Për situata me rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, trupat inspektuese — IQMT dhe ISHTI — kanë të drejtë të urdhërojnë tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu, pezullimin e aktivitetit tregtar apo edhe shkatërrimin e mallrave të rrezikshme. Miratimi i këtij projektligji do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të standardeve shqiptare me ato europiane në fushën e sigurisë së ndërtimit.
BurimiRTSH



