Vora News
Kursi
USD79,00/80,00EUR91,80/92,50GBP106,50/107,80CHF97,20/98,50SEK7,00/7,90NOK7,07/8,00DKK10,46/11,90PLN20,50/21,15TRY1,64/1,78RSD0,76/0,79MKD1,48/1,52CAD56,70/57,80AUD56,20/57,30JPY0,5/0,53CNY11,20/11,92USD79,00/80,00EUR91,80/92,50GBP106,50/107,80CHF97,20/98,50SEK7,00/7,90NOK7,07/8,00DKK10,46/11,90PLN20,50/21,15TRY1,64/1,78RSD0,76/0,79MKD1,48/1,52CAD56,70/57,80AUD56,20/57,30JPY0,5/0,53CNY11,20/11,92
Rama prezanton "Testin e Besës": Gjoba, arma e fundit e inspektorit
Aktualitet

Rama prezanton "Testin e Besës": Gjoba, arma e fundit e inspektorit

Kryeministri paralajmëron reformë rrënjësore të inspektimeve: paralajmërim paraprak, kamera trupi dhe uniforma për inspektorët

Nga Redaksia Vora News3 Shtator 2026, 07:012 min lexim1
Ndaj

Kryeministri Edi Rama shpalli të mërkurën një reformë të thellë në mënyrën se si inspektoratet shtetërore kryejnë kontrollet ndaj bizneseve. Modeli i ri, i quajtur "Testi i Besës", ndryshon rrënjësisht filozofinë e inspektimit: nga konstatimi i menjëhershëm i shkeljeve dhe vendosja e gjobave, tek paralajmërimi paraprak, ndihma për korrigjim dhe monitorimi i inspektorëve.

"Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë Testin e Besës. E para, nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim," deklaroi Rama, duke theksuar se shteti duhet të paraqitet si partner, jo si armik i sipërmarrësit.

Inspektori si ndihmës, jo si ndëshkues

Sipas kryeministrit, qëllimi i inspektimit nuk duhet të jetë "kapja" e biznesit në gabim, por orientimi i tij drejt zbatimit të ligjit. "Inspektori nuk vjen te dera e biznesit në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh. Qëllimi ynë nuk është të kapim subjektet në gabime, por t'i ndihmojmë të përmirësohen," tha Rama.

Në të njëjtën frymë, kryeministri u shpreh prerë kundër përdorimit të gjobës si mjet presioni: "Gjoba mbi një biznes është arma e fundit, jo e para, kurrë një shpatë shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit për të gjetur pastaj një mënyrë tjetër për të shmangur gjobën." Ai shtoi se çdo inspektor që nxjerr gjobën pa kaluar nëpër fazat paraprake "nuk po e mbron shtetin, po e turpëron atë."

E drejta e denoncimit dhe kamera trupi

Reforma parashikon edhe mekanizma konkretë mbrojtës për bizneset. Çdo subjekt ndaj të cilit paraqitet një inspektor pa paralajmërim paraprak ka të drejtë ta denoncojë menjëherë rastin tek Inspektori i Përgjithshëm. "Kjo nuk është ankesë, por e drejtë, dhe këtë të drejtë ne mund ta vendosim vetëm së bashku, qeveria dhe sipërmarrja," nënvizoi Rama.

Ndryshimi i tretë i rëndësishëm ka të bëjë me identifikueshmërinë e inspektorëve gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas kryeministrit, së shpejti çdo inspektor do të pajisen me kamera inteligjente trupi dhe uniformë zyrtare, duke mundësuar monitorimin e vazhdueshëm nga Inspektorati i Përgjithshëm. "Që ta dish kush është, kë përfaqëson dhe që ta dijë edhe ai se në çdo minutë të punës së tij është i mbikëqyrur," tha ai.

Rama e mbyllli fjalën e tij me një mesazh të qartë drejtuar administratës: "Shteti që hyn në derën e njerëzve duhet t'i bëjë ata krenarë për taksat që ata i paguajnë këtij shteti." Reforma pritet të testohet në praktikë në muajt në vijim, ndërsa komuniteti i biznesit pret me vëmendje zbatimin konkret të premtimeve.

BurimiMonitor

Ndaj