Shqipëria ka regjistruar rezultatin e saj më të mirë ndonjëherë në testin ndërkombëtar PISA, duke u vendosur në krye të vendeve të rajonit për arsimin parauniversitar. Kryeministri Edi Rama e priti lajmin me entuziazëm, duke e cilësuar si një "dëftesë të jashtëzakonshme" jo vetëm për sistemin arsimor, por para së gjithash për nxënësit shqiptarë.
Testi PISA — i cili mat nivetin e të nxënit të nxënësve 15-vjeçarë në tri fusha kryesore — tregoi se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara krahasuar me raundin e mëparshëm. Rezultati në matematikë u rrit me 65 pikë, në shkencë me 59 pikë dhe në lexim me 50 pikë. Janë rritje që venë Shqipërinë sipër disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Rama: "Kemi lënë pas edhe vende që sot janë në BE"
Duke folur për këtë arritje, kryeministri Rama theksoi se rezultati vjen si fryt i një pune intensive të fokusuar pikërisht atje ku testimet e mëparshme kishin evidentuar dobësi. "Kemi dalë, si asnjëherë, më mirë në testin PISA 2025. Sot jemi të parët në rajon, duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe sektor," deklaroi ai, duke shtuar se kjo arritje u takon kryesisht nxënësve — "drita e syve të prindërve të këtij vendi."
Rama kujtoi edhe rënien e shkaktuar nga pandemia e COVID-19, e cila preku sistemet arsimore në të gjithë botën dhe solli një tërheqje të ndjeshme edhe për Shqipërinë. "Kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm pas atij momenti çorodie që shkaktoi Covid," tha ai, duke nënvizuar rikuperimin e plotë dhe tejkalimin e niveleve të mëparshme.
Puna me drejtuesit e shkollave, faktori kyç
Kryeministri vuri në pah gjithashtu rolin e drejtuesve të shkollave si hallkë vendimtare në këtë sukses. "Kemi bërë një punë kolosale me drejtuesit e shkollave," tha Rama, duke e lidhur drejtpërdrejt përmirësimin e performancës me përpjekjet e strukturave arsimore në çdo nivel. Sipas tij, rezultati krijon edhe "lehtësi psikologjike" për prindërit dhe të gjithë shoqërinë.
Arritja e Shqipërisë në PISA 2025 vjen në një periudhë kur debati mbi cilësinë e arsimit shqiptar mbetet i nxehtë në opinion. Pozicionimi i parë në rajon dhe tejkalimi i disa vendeve të Bashkimit Evropian e vendos vendin tonë në një dritë të re edhe në sytë e institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë treguesit e arsimit. Hapat e ardhshëm do të tregojnë nëse ky moment mund të konsolidohet si tendencë afatgjatë apo mbetet një kulm i izoluar.
BurimiRTSH



