Një 31-vjeçare britanike ka humbur jetën pasi u godit me thikë në një stacion treni në Gjermani.Për ngjarjen, policia ka arrestuar një 27-vjeçar gjerman, i dyshuar për sulmin.
Policia u lajmërua në orët e para të mëngjesit të së dielës në stacionin hekurudhor të Rosenheim, në Bavari, pas raportimit për një grua të plagosur rëndë nga një sulm me thikë. E reja u dërgua me urgjencë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ajo ndërroi jetë pak më vonë.Një 27-vjeçar gjerman u arrestua në stacion menjëherë pas ngjarjes, nën dyshimin se ishte autor i sulmit. Deri tani nuk është bërë e ditur nëse viktima dhe i dyshuari njiheshin më parë. Policia gjermane vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe motivin e sulmit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë qenë në stacion në orët e para të mëngjesit dhe kanë parë ndonjë debat apo përleshje fizike të kontaktojnë policinë.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë minutat para sulmit dhe të përcaktojnë se çfarë e shkaktoi përplasjen që përfundoi me vdekjen e 31-vjeçares britanike.



