Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky intensifikoi të hënën tonet kritike ndaj administatës amerikane, duke akuzuar Uashingtonin se po vonon me dashje dërgimin e raketave të nevojshme për sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit të tij. Gjatë një takimi me senatorë amerikanë, Zelensky bëri të qartë se pengesën kryesore e sheh te vet strukturat ushtarake amerikane, duke theksuar se dërgesa pret nënshkrimin e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Zelensky shtoi se disa vende evropiane janë gati të transferojnë raketa për sistemet Patriot nga rezervat e tyre, por edhe kjo rrugë mbetet e bllokuar pa miratimin e Uashingtonit. "E gjithë kjo tregon se është marrë një vendim politik për të ngadalësuar mbështetjen ndaj nesh", deklaroi ai, sipas njoftimit zyrtar të presidencës ukrainase. Nga ana e vet, Shtëpia e Bardhë ka pohuar se roli i SHBA-së në bisedimet për armëpushim mbetet konstruktiv dhe synon t'i japë fund luftës.
Sulmet ruse vijojnë — katër të vrarë të martën
Ndërkohë që tensioni diplomatik ngrihej, Rusia vazhdoi ofensivën ajrore. Autoritetet ukrainase njoftuan se gjatë së martës u vranë katër persona dhe u plagosën të paktën 11 të tjerë. Tre prej viktimave humbën jetën në rajonin e Kievit, ndërsa sulmet ndaj qytetit të Zaporizhzhias, në juglindje të vendit, morën edhe një jetë tjetër. Autoritetet ukrainase bëjnë të ditur se Rusia po synon kryesisht infrastrukturën energjetike dhe rrjetet e transportit.
BurimiIndeksonline



