Gjatë 24 orëve të fundit, Shqipëria u përball me 33 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit. Prej tyre, 8 mbeten ende aktive dhe 5 të tjera janë nën vëzhgim të vazhdueshëm. Ministria e Mbrojtjes ka bërë publik bilancin e forcave të angazhuara: 535 operacionalë, 51 automjete zjarrfikëse, si dhe mbështetja e Forcave të Armatosura me efektivë, mjete tokësore dhe kapacitete ajrore.
Aktualisht në terren operojnë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, dy helikopterë të Forcës Ajrore dhe dy avionë Air Tractor. Koordinimi i operacioneve ndiqet në mënyrë të vazhdueshme nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, me strukturat qendrore dhe vendore të angazhuara në mënyrë të njëkohshme.
Vatrat kryesore dhe situata në terren
Në Malin e Dajtit, ku veprojnë 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 zjarrfikës dhe 10 forca të mbrojtjes civile, dy helikopterë mbështesin ndërhyrjet nga ajri. Autoritetet sqarojnë se nuk raportohet asnjë rrezik për zonat e banuara. Vatrat në Priskë dhe Vakumone janë nën kontroll dhe vijojnë të monitorohen.
Situata më e ndërlikuar paraqitet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë mobilizuar mbi 200 forca në total — bashkiake, policore, të mbrojtjes civile, vullnetarë dhe 50 efektivë ushtarakë — me mbështetjen e dy avionëve Air Tractor. Hapja e korridoreve ndarëse ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Në Qafë Helmës dhe Bruç, terreni i vështirë ka ndërlikusr ndërhyrjet. Nga krahu i Bulqizës, zjarri në Qafë Helmës është shuar, ndërsa mbetet aktiv vetëm në drejtim të Selishtës. Edhe këtu, banesat nuk rrezikohen. Në Lufaj të Mirditës, pas hapjes së korridoreve ndarëse, forcat operacionale vijojnë punën me mbështetjen e një helikopteri ushtarak.
Pukë dhe Rrjoll — situatë nën kontroll
Në Fushë-Lajë të Pukës janë angazhuar 10 zjarrfikës, 16 forca bashkiake dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk përbën kërcënim për banesat. Në zonën e Rrjollit, monitorimi kryhet edhe nëpërmjet dronëve dhe situata konsiderohet nën kontroll.
Vala e zjarreve po shqetëson vendin në kulmin e sezonit të verës, kur temperaturat e larta dhe era favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve. Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë të shtuar nga qytetarët, ndërkohë që kapacitetet ajrore dhe tokësore të shtetit vijojnë të jenë të përqendruara në vatrat që kërkojnë ndërhyrje urgjente.
BurimiRTSH



