Një zjarr i shpërthyer në pasditen e sotme në një magazinë private, e vendosur në afërsi të rrjetit të transmetimit 110 kV në zonën e Shkozetit të Durrësit, shkaktoi ndërprerje të ndjeshme të furnizimit me energji elektrike në qytetin e Durrësit. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi opinionin publik nëpërmjet rrjeteve sociale, duke e cilësuar situatën si sfiduese dhe duke siguruar se të gjitha strukturat kompetente janë mobilizuar plotësisht.
Sipas ministrit, rreth orës 15:40, si pasojë e drejtpërdrejtë e zjarrit, u detyruan të stakoheshin linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit. Ky veprim i menjëhershëm, i kërkuar nga shërbimi zjarrfikës për arsye sigurie, çoi në ndërprerjen e energjisë elektrike në pjesë të konsiderueshme të Durrësit. Njëra nga linjat mbetet jashtë funksionit deri në neutralizimin e plotë të vatrave të zjarrit.
Furnizim i pjesshëm nëpërmjet linjave alternative
Ndërsa ekipet e zjarrfikëses vijojnë punën për shuarjen e plotë të zjarrit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka ndërhyrë me masa të menjëhershme, duke ridrejtuar furnizimin e disa zonave të prekura nëpërmjet linjave alternative, të njohura si unazë. Falë këtyre manovrave teknike, energjia elektrike është rikthyer pjesërisht në disa lagje të qytetit, ndërsa ekipet vijojnë punën për normalizimin e plotë të situatës.
Megjithatë, Karakaçi ka paralajmëruar se ky zgjidhje e ndërmjetme ka kufizime të qarta: furnizimi nëpërmjet unazimeve nuk mund të mbahet për periudha të gjata, për shkak të ngarkesave të larta që vërehet në rrjetin elektrik. Rikthimi i plotë dhe i qëndrueshëm i energjisë elektrike do të jetë i mundur vetëm pas rivënies në punë të linjave 110 kV, gjë që do të realizohet sapo zjarri të jetë shuar tërësisht dhe të garantohen kushtet e sigurta për ndërhyrjen e ekipeve teknike.
Brigadat e OST-it gati për ndërhyrje
Brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST sh.a.) janë të vendosura në terren që prej momentit të parë dhe presin sinjalizimin e autoriteteve zjarrfikëse për të nisur punën e riparimit të dëmeve të shkaktuara në infrastrukturën e linjave 110 kV. Karakaçi theksoi se strukturat e OST-it dhe OSSH-it janë në gatishmëri të plotë operacionale.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka kërkuar qytetarëve të Durrësit mirëkuptim në këto momente të vështira, duke u siguruar se ndërhyrja do të jetë sa më e shpejtë që lejon situata. Incidenti sjell edhe njëherë në vëmendje nevojën urgjente për shtimin e hapësirave mbrojtëse midis objekteve private dhe infrastrukturës kritike energjetike në vend.
BurimiFax News



