Guri i thyer, gjurmët e gomave dhe bimësia e rrëzuar — kjo është pamja që gjen sot në zonën e mbrojtur Pishe Poro-Narta, pranë Zvernecit, rreth një muaj pas punimeve paraprake të lidhura me projektin turistik të ndërtimit të një resorti ku figuron emri i Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump. Punimet u pezulluan pas përplasjeve mes protestuesve mjedisorë dhe forcave private të sigurisë, por dëmi mbi ekosistem tashmë është bërë.
Vlerësimi paraprak i organizatës mjedisore PPNEA tregon se ndërhyrjet përfshinin hapjen e mbi shtatë kilometrave rrugë të reja, zhvendosjen e sasisë së madhe të rërës dhe bimësisë, hedhjen e zhavorrit dhe rrafshimin e disa zonave pyjore e rërore. Sipas të njëjtit vlerësim, rrugët dhe sipërfaqet e prekura shtrihen mbi 7,2 hektarë dhe ndikojnë në të paktën pesë lloje habitatesh brenda rrjetit Natura 2000, duke përfshirë habitate të cilësuara si prioritare nga Bashkimi Europian.
«Dëmi është i pariparueshëm»
Zydjon Vorpsi, përgjegjës për politikat dhe avokacinë në PPNEA, është i qartë: ndërhyrjet janë të paligjshme dhe do të jenë objekt i një kallëzimi penal. «Ajo çfarë kanë bërë është e kundërligjshme. Ndërhyrjet kanë dëmtuar zonën e mbrojtur dhe kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në habitatet e saj», tha Vorpsi. Ai thekson se kodrat e molasit — të shpallura monumente natyrore dhe pronë shtetërore e patjetërsueshme — u gërmuan nga ekskavatorët për të hapur një rrugë ku nuk kishte ekzistuar asnjëherë.
Banorja 60-vjeçare e Zvernecit shprehet me dhimbje: «E quajmë 'Çerdhen e Shpendëve të Egër'. Për qindra vjet askush nuk e ka prekur. Ne e kemi mbrojtur». Administrata e Zonave të Mbrojtura u kthye në vendngjarje pasi punimet u ndalën dhe vendosi tabelë paralajmëruese për ndalimin e makinave dhe kampingut, por kjo nuk i kthen mbrapsht dëmet e shkaktuara.
Flamingojtë dhe ekosistemi i bregdetit
Ndërhyrjet filluan pikërisht në kulmin e stinës së çeljes së vezëve të shpendëve dhe në fillim të periudhës kur breshkat e detit vijnë në breg për të vendosur vezët e tyre. Vorpsi thotë se prania e dhjetëra makinave, buldozerëve, ekskavatorëve dhe qindra njerëzve brenda zonës e largoi plotësisht faunën. Flamingoja — simbol i protestave që vazhdojnë çdo mbrëmje në Tiranë — përfaqëson pikërisht këtë ekosistem bregdetar ndër më të rëndësishmit të Shqipërisë.
Urbanistja Doriana Musai paralajmëron se problemi me ndërhyrje të tilla është se krijojnë fakte të krryera. «Edhe kur përshkruhen si 'punime paraprake', ato ndryshojnë gjendjen ekzistuese të territorit, hapin akses dhe e bëjnë shumë më të vështirë rikthimin e zonës në gjendjen e mëparshme», shpjegon ajo. Sipas Musait, rreziku është që Zverneci të shërbejë si model për ndërhyrje të mëtejshme në zona të tjera të mbrojtura.
Kryeministri Edi Rama, duke mbrojtur projektin, ka deklaruar se nuk dëshiron që Shqipëria të stigmatizohet si vend armiqësor ndaj investitorëve, duke shtuar se «nuk ka asnjë mundësi që investimi të ndalet sa të jem unë këtu». Ndërkohë, protestuesit në Tiranë kërkojnë jo vetëm anulimin e projektit, por edhe dorëheqjen e tij.



