Bashkimi Evropian ka reaguar me tone të qarta ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër. Komisioni Evropian ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm nëpërmjet dialogut, jo nëpërmjet veprimeve ose deklaratave provokuese.
"Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut", tha një zëdhënës i Komisionit Evropian të martën. "Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen", thuhet në qëndrimin zyrtar të Brukselit.
Vuçiç ndez tensionet me deklaratën për Ibrin
Deklaratat e Vuçiçit erdhën pas rrënimeve të ndërtimeve në zonën e Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës. Presidenti serb tha se ekspertët po shqyrtojnë mundësinë teknike të ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e paraqitur këtë si reagim ndaj rrënimit të pronave të serbëve pranë liqenit. Deklarata shkaktoi reagime të mprehtë nga zyrtarët e Kosovës dhe ndezi gjithashtu një përplasje publike ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre serbe.
Komisioni Evropian komentoi edhe vetë çështjen e rrënimeve, duke kërkuar respektim të plotë të procesit ligjor. "Çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procedurat e duhura ligjore, dhe personave të prekur duhet t'u jepet mundësia efektive për të kërkuar mbrojtje gjyqësore para se masa të zbatohet", theksoi Komisioni. Brukseli rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun Beograd-Prishtinë mbetet parakusht për rrugën evropiane të të dyja vendeve.
Ibri — një burim jetësor për Kosovën
Lumi Ibër, me gjatësi rreth 270 kilometra, buron në Mal të Zi dhe pasi kalon nëpër Serbi, hyn në territorin e Kosovës, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit. Rreth dy të tretat e sipërfaqes së këtij liqeni ndodhen brenda kufijve të Kosovës. Sistemi ujor Ujman-Ibër-Lepenc furnizon me ujë shtatë komuna kosovare, shërben për qëllime bujqësore dhe siguron ftohjen e termocentraleve në Obiliq — impiant që prodhon pjesën dërrmuese të energjisë elektrike të vendit. Çdo ndërhyrje në rrjedhën e këtij lumi do të kishte pasoja të drejtpërdrejta mbi jetesën e qindra mijëra qytetarëve kosovarë.
Ekspertët e fushës kanë vlerësuar se devijimi teknik i Ibrit është i realizueshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm. Më e rëndësishmja, nëse një ndërhyrje e tillë do t'i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte hapur ndesh me të drejtën ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare. Serbia ka nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare, e cila garanton shfrytëzimin e drejtë e të arsyeshëm të ujërave dhe ndalon shkaktimin e dëmeve të konsiderueshme ndaj shteteve të tjera. Deklaratat e Vuçiçit, nëse do të ktheheshin në veprime konkrete, do ta vendosnin Serbinë në kundërshtim të hapur me detyrimet e saj ndërkombëtare.
BurimiEuro news Albania



