Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti të mërkurën një konferencë të përbashkët për shtyp bashkë me bashkëkryetarin e Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, dhe me një grup ekspertësh të administratës vendore. Në qendër të diskutimeve qëndroi reforma administrative e vitit 2014, të cilën Berisha e cilësoi si katastrofën kryesore që çoi në zbrazjen demografike të Shqipërisë.
"Antireforma territoriale e vitit 2014 u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme si Leva e Arkimedit për shpopullimin e Shqipërisë", deklaroi Berisha, duke shtuar se ajo shërbeu njëkohësisht si "shtylla kryesore e platformës së Vaso Çubrilloviçit" — akademikut serb të shekullit të 20-të i njohur për elaboratet e tij mbi dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Sipas Berishës, pakësimi i shërbimeve dhe braktisja e infrastrukturës rurale nuk ndodhën rastësisht, por ishin pasoja direkte e zgjedhjes për të bashkuar rreth 410 njësi vendore në vetëm 61 bashki.
Mbi 45% e popullatës humbi qeverisjen direkte
Berisha nënvizoi se pasojat e kësaj reforme janë ndier më rëndë në zonat rurale, ku banorët humbën jo vetëm shërbimet administrative, por edhe çdo perspektivë zhvillimi: "Mbi 45 përqind e popullatës humbi shërbimet, humbi qeverisjen direkte me njerëz të zgjedhur prej saj. Humbi të gjithë perspektivën e jetesës në komunat ku jetonin. Koha për Shqipërinë rurale ndaloi."
Si shembull konkret, ai përmendi zonën e Shëngjergjit, dikur komunë e pavarur dhe sot fshat i bashkisë Tiranë: "Nga viti 2013 gjer sot, në këtë zonë nuk është investuar një qindarkë, pavarësisht se ajo ka disa nga potencialet malore turistike më mahnitëse të vendit." Berisha shtoi se edhe rruga drejt asaj zone mbetet vështirësisht e kalueshme, duke izoluar kësisoj banorët e saj nga çdo mundësi ekonomike.
Akuza për keqpërdorim fondesh dhe braktisje të fshatrave
Kreu demokrat nuk kurseu as kritikat ndaj bashkisë Tiranë. Duke përmendur Baldushkun, Prezën dhe Ndroqin, ai pohoi se investimet në këto zona kanë qenë të papërfillshme ose mashtruese: "Investimi i vetëm i Baldushkut ishte mashtrimi i Erion Veliajt, i cili ndërtoi një muze të gjetur të mbushur me thasë dafine për të vjedhur 400 milionë lekë." Sipas tij, ndërkohë që fshati braktisej, 3.2 miliardë euro u derdhën në sheshe dhe pllaka qendrash urbane.
Berisha ftoi mediat të vizitojnë vetë komunat e ish-njësive vendore të shfuqizuara, për të parë me sy "si koha ka ndaluar" dhe si banorëve u mbetet vetëm largimi si opsion i vetëm. Komisioni i PD-së për Reformën Territoriale pritet të paraqesë në ditët në vijim një plan alternativ, i cili synon rikthimin e qeverisjes lokale më afër qytetarit dhe ringjalljen e zonave rurale me potencial ekonomik e turistik.
BurimiJava News

