Numërimi mbrapsht ka nisur. Më 16 shtator, Gjykata Speciale me seli në Hagë do të shpallë aktgjykimin ndaj katër figurave kyçe të luftës së çlirimit të Kosovës: ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Të gjithë katër u përnjohin si drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës kundër regjimit serb të Slobodan Millosheviqit.
E shtuna shënoi një nga manifestimet më të mëdha të solidaritetit popullor në Prishtinë, ku mijëra qytetarë marshuan nën moton e lirisë për të shprehur mbështetje ndaj burrave që ata i shohin si heronj të çlirimit kombëtar. Marshi i lirisë, siç u quajt, pasqyroi ndjenjën e gjerë publike se ish-komandantët e UÇK-së nuk duhet të dënohen, por të lirohen.
Kurti: "Asnjë gjykatë nuk mund ta njollosë UÇK-në"
Kryeministri Albin Kurti ka folur hapur për procesin gjyqësor, duke e cilësuar kërkesën e prokurorisë si të padrejtë dhe të papajtueshme me të vërtetën historike. "Këto ditë të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Kërkesa e prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës sonë çlirimtare", deklaroi Kurti.
Shefi i qeverisë kosovare ishte edhe më kategorik kur bëri fjalë për pozicionin zyrtar të institucioneve: "Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë e drejtoj është i njëjtë dhe i qartë: në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë, nën Millosheviqin. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në."
Policia e Kosovës apel për qetësi dhe informim të saktë
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të qartësuar raportimet që flisnin për "blindim" të vendit para datës kritike. Autoritetet policore sqaruan se masat e marra janë plotësisht standarde dhe lidhen me menaxhimin e sigurisë publike, kontrollin e trafikut dhe garantimin e qetësisë gjatë grumbullimeve të mëdha të qytetarëve. Policia theksoi gjithashtu se merren parasysh edhe skenarë provokimi nga individë apo elementë të jashtëm që mund të tentojnë të shfrytëzojnë situatën.
Qytetarëve dhe mediave iu bë thirrje të mbështeten vetëm në burime zyrtare dhe të mos përhapen pretendime të paverifikuara, të cilat, siç u theksua, rrezikojnë të shkaktojnë shqetësim të panevojshëm. Të gjithë sytë e Kosovës, dhe jo vetëm, janë drejtuar nga Haga — vendimi i 16 shtatorit pritet të ketë jehonë të madhe politike dhe emocionale në të gjithë rajonin.
BurimiGazeta Expres



