Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) ka miratuar gjatë verës së vitit 2026 një seri të gjerë lejesh zhvillimi dhe ndërtimi për projekte të reja energjetike. Në mbledhjet e mbajtura më 17 korrik, 30 korrik dhe 13 gusht, institucioni shqyrtoi gjithsej 29 projekte unike gjeneruese, me kapacitet të instaluar të deklaruar prej të paktën 535.7 MW. Kjo shifër nuk pasqyron tablonë e plotë, pasi disa hidrocentrale, një projekt eolik dhe disa impiante diellore nuk kanë specifikuar fuqinë e instaluar në dokumentet e paraqitura.
Shpërndarja sipas llojit të burimeve tregon qartë dominimin e energjisë diellore: nga 29 projektet, 16 janë centrale fotovoltaike, 11 janë hidrocentrale dhe 2 janë parqe eolike. Vetëm projektet fotovoltaike me kapacitet të deklaruar arrijnë në 517.46 MW, pra pjesën dërrmuese të fuqisë totale të identifikueshme. Hidrocentralet me kapacitet të specifikuar zënë të paktën 15.238 MW, ndërsa projektet eolike të paktën 3 MW.
Katër gjigantë diellore kontrollojnë dy të tretat e kapacitetit
Projekti më i madh fotovoltaik në të tre mbledhjet është Solen Energy, me 128 MW në Bashkinë Fier, i cili ka marrë leje ndërtimi. Pas tij renditet Bocova Solar Park, gjithashtu në Fier, me 82 MW dhe leje zhvillimi. Vendi i tretë i takon 3X Energy Sol Park me 70 MW në Bashkinë Lushnjë, ndërsa e katërta është impianti i Fortis Energy & Construction me 62 MW në Bashkinë Klos. Bashkë, këto katër projekte përfaqësojnë 342 MW — rreth dy të tretat e të gjithë kapacitetit fotovoltaik të identifikuar. Në grupin e projekteve të tjera të konsiderueshme bëjnë pjesë Saranda 1 me 50 MW, Greensol në Bistricë të Finiqit me rreth 50 MW dhe Twin Sun Solar me 30 MW.
Paralelisht me zgjerimin e energjisë diellore, vijojnë edhe investimet hidroenergjetike. Projekti me kapacitetin më të lartë në këtë kategori është kompleksi Ura e Tamarës, i cili përfshin HEC Kozhnjë 1, HEC Kozhnjë 2 dhe HEC Tamara, me fuqi të kombinuar prej 14.988 MW në Malësinë e Madhe. Rendi i ditës përfshin gjithashtu një sërë hidrocentrale të tjera si HEC Viliq 1 dhe 2, HEC Olben, Kukur 3 dhe 4, Marinaj, Rehova dhe Brushtrica 3, mes të tjerash, pa kapacitet të deklaruar. Në fushën e erës, KKTU ka trajtuar një park eolik të Verbund Green Power Albania Wind në Kryevidh të Rrogozhinës dhe një strukturë 3 MW të Green Tech në Sheq të Fierit.
Energjia diellore po riformëson bilancin kombëtar
Kjo valë e re lejesh vjen në vazhdën e një rritjeje të qëndrueshme të peshës së energjisë fotovoltaike në prodhimin vendas. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2025 burimet e tjera të rinovueshme — ku fotovoltaikët zënë vendin kryesor — kontribuan me 13.2% të prodhimit neto vendas, nga 6.4% që ishte një vit më parë. Rritja ka vijuar edhe në 2026: në tremujorin e parë u gjeneruan 254 GWh nga kjo kategori, 44% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, ndërsa në tremujorin e dytë prodhimi u rrit në 448 GWh, duke arritur në 19% të prodhimit neto vendas.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, prodhuesit fotovoltaikë dhe të tjerë të rinovueshëm gjeneruan rreth 702 GWh, ose rreth 11.7% të prodhimit neto kombëtar. Hidrocentralet publike zotëruan 42.8% të tregut, ndërsa ato private dhe koncesionare mbuluan 38.2%. Tendenca tregon se Shqipëria po ecën me hapa të qëndrueshëm drejt diversifikimit të burimeve energjetike, duke reduktuar varësinë historike nga hidroenergjia dhe duke hapur hapësirë për teknologjitë e reja të rinovueshme.
BurimiMonitor



