Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, prezantoi së fundmi në Komisionin e Ekonomisë, Financave dhe Punësimit projektligjin për ngritjen dhe funksionimin e Liceut Francez të Korçës si një institucion publik i arsimit të mesëm të lartë. Ky projekt i përbashkët i qeverive shqiptare dhe franceze synon të sjellë një model arsimor të avancuar, duke ofruar standarde europiane dhe një diplomë të dyfishtë për nxënësit shqiptarë.
Kumbaro theksoi se ky projektligj është i një rëndësie të veçantë për cilësinë e arsimit dhe diplomacinë shqiptare. Ai pasqyron bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Francës, nën kujdesin e Presidentit Emmanuel Macron dhe Kryeministrit Edi Rama, duke rikthyer një traditë të vjetër të Korçës. Ministrja shtoi se ky model arsimor aktualisht nuk është i pranishëm në sistemin publik shqiptar, çka e bën këtë iniciativë edhe më unike dhe novatore.
Një ofertë arsimore tregjuhëshe dhe me diplomë të dyfishtë
Liceu Francez i Korçës do të jetë një institucion arsimor tregjuhësh, ku mësimi do të zhvillohet në shqip, frëngjisht dhe anglisht. Nxënësit që do të përfundojnë me sukses studimet në këtë lice do të pajisen me dy diploma: Maturën Shtetërore Shqiptare dhe Baccalauréat-in Francez. Ky program do të jetë falas për nxënësit shqiptarë, duke u ofruar atyre akses të pakufizuar në kualifikime me njohje ndërkombëtare, të cilat deri më tani kanë qenë të kufizuara.
Ky model synon të orientojë nxënësit drejt shkencës dhe inovacionit, duke qenë i hapur edhe për nxënës nga rajoni. Sipas ministres Kumbaro, një familje nga çdo cep i Shqipërisë do të ketë mundësinë të studiojë në vend, duke marrë një diplomë të njohur në Francë dhe në të gjithë hapësirën europiane. Kjo inciativë shërben si një dëshmi konkrete e angazhimit të Shqipërisë për të zbatuar standardet europiane në arsim, veçanërisht pas përmbylljes së kapitujve të negociatave për arsimin dhe kërkimin shkencor me Bashkimin Europian.
Struktura dhe organizimi i Liceut
Për sa i përket organizimit institucional, liceu do të rregullohet nga një bashkëpunim mes palës shqiptare dhe asaj franceze. Këshilli Administrativ, si organi kryesor vendimmarrës, do të mbikëqyrë funksionimin e institucionit, do të propozojë strukturën dhe buxhetin vjetor, dhe do të emërojë drejtorin dhe zëvendësdrejtorin. Drejtori i Liceut do të propozohet nga Ministria Franceze e Arsimit, ndërsa zëvendësdrejtori do të propozohet nga Ministria Shqiptare e Arsimit.
Përveç kësaj, do të funksionojë edhe Këshilli i Institucionit, një organ këshillimor ku do të ulen në të njëjtën tryezë të gjithë aktorët e përfshirë në jetën shkollore, nga nxënësit te prindërit dhe stafi. Mësimdhënia do të bazohet në një bashkërendim të kurrikulave kombëtare shqiptare dhe franceze, duke respektuar integritetin e secilit shtet. Lëndët e zhvilluara në frëngjisht do të mbikëqyren nga Ministria Franceze e Arsimit, ndërsa ato në shqip dhe anglisht nga institucionet përgjegjëse shqiptare. Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të arsimit shqiptar dhe forcimit të lidhjeve ndërkombëtare.
BurimiRTSH



