Federata Italiane e Futbollit ka ndezur negociatat me dy nga trajnerët më të titulluar të futbollit botëror, Pep Guardiolën dhe Carlo Ancelottin, në përpjekje për të ringjallur kombëtaren pas një tjetër dështimi historik. Drejtori teknik Paolo Maldini e konfirmoi këtë gjatë një konference për shtyp në Milano, duke pranuar hapur se Italia ka nisur kontakte me të dy teknikët.
Katër herë kampionë të botës, italianët mbetën sërish jashtë Kupës së Botës 2026 pasi u eliminuan në ndeshjen e play-offit nga Bosnja dhe Hercegovina, pas penalltive. Ky dështim vazhdon mungesën e tyre nga turneu global që nga Brazil 2014 — një rekord i zymtë për një nga kombet me traditën më të pasur të futbollit.
Guardiola objektivi kryesor, Ancelotti me kontratë deri në 2030
Maldini nuk u tregua dorëmbledhur gjatë konferencës. "Guardiola? Nuk mund të japim më shumë detaje, por e keni identifikuar një nga objektivat tanë. Gjithashtu kemi biseduar edhe me Ancelottin", deklaroi ai. Drejtori teknik shtoi se procesi ka filluar pikërisht nga majat: "Na u duk e drejtë ta nisim me trajnerët më të mirë në botë, por duhet të verifikojmë disponueshmërinë e tyre".
Guardiola mbetet kandidati i preferuar. Trajneri katalanas ka lënë pas një dekadë me Manchester City dhe aktualisht po kalon një vit pushimi nga futbolli, duke e bërë disponueshmërinë e tij teorikisht më të mundshme. Federata ka zhvilluar tashmë takime konkrete me të, me qëllim për të matur gatishmërinë dhe hedhur bazat e një marrëveshjeje.
Situata me Ancelottin paraqitet më e ndërlikuar. Trajneri i njohur italian e rinovoi kontratën me kombëtaren e Brazilit deri në vitin 2030, pavarësisht eliminimit të hershëm të Seleçaos në fazën e tetëfinales. Megjithatë, italianët nuk e kanë hequr fare nga lista.
Vendimi pritet brenda javës, por pa nxitim
Paralelisht me emrat e mëdhenj, Federata po shqyrton edhe alternativa të tjera: Antonio Conte, Roberto Mancini dhe Andrea Pirlo janë në skenarin e mundshëm nëse nuk arrihet marrëveshja me Guardiolën apo Ancelottin.
Maldini ka bërë të qartë se ekziston urgjencë, por jo e tillë që të rrezikojë cilësinë e vendimmarrjes. "Në mënyrë ideale, trajneri i ri duhet të emërohet gjatë kësaj jave, por është edhe më e rëndësishme të presim personin që ne e dëshirojmë vërtet. Ka urgjencë, por jo aq sa të marrim një vendim të nxituar", theksoi ai. Qëllimi final mbetet i qartë: të rikthejnë Italinë në elitën botërore dhe të shmangin mungesën e katërt radhazi në Kupën e Botës 2030.
BurimiTelegrafi Sport


