Për dekada, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian vepruan me një zë të vetëm në Ballkan — mbështetën integrimin europian, stabilitetin dhe sundimin e ligjit. Sot, ky konsensus po shpërbëhet hapur. Uashingtoni dhe Brukseli ndjekin agjenda të ndryshme, madje konkurruese, dhe vendet e rajonit — mes tyre Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia — gjenden në mes të kësaj loje gjeostrategjike.
Ballkani Perëndimor — gjashtë shtetet që shtrihen në kufijtë e BE-së: Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi — mbetet një ndër zonat më të ndjeshme të kontinentit. BE-ja ua ka premtuar anëtarësimin pas reformave të sundimit të ligjit dhe tregut, por procesi ka ngecur prej vitesh. Tani, edhe mbështetja amerikane, dikur e qëndrueshme, ka ndryshuar rrjedhë.
Bosnja, energjia dhe shenjat e korrupsionit
Ndryshimi më i dukshëm vihet re në Bosnjë-Hercegovinë. Administrata e presidentit Donald Trump ndërhyri për të larguar nga lista e sanksioneve Milorad Dodikun, udhëheqësin serb boshnjak i cili prej vitesh kërcënon me copëtimin e vendit. Paralelisht, SHBA-ja shtyu drejt kufizimit të kompetencave të Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar — një post që historikisht ka shërbyer si garanci e fundit kundër destabilizimit. Ekspertë të Grupit Ndërkombëtar të Krizave vërejnë se largimi i kësaj figure do të krijonte vakum, ndërsa aktorë si Dodiku do të kalonin menjëherë në ofensivë.
Fokusin e ri amerikan e zë energjia. Uashingtoni ka ambicie për të eksportuar gaz të lëngshëm natyror nga një terminal detar pranë bregdetit kroat drejt shteteve të Ballkanit, duke zëvendësuar furnizimin rus. Sekretari amerikan i Energjisë e ka quajtur këtë iniciativë "tubacionet e paqes". Por një projekt konkret në Bosnjë — linja e quajtur "Ndërlidhësi Jugor" — ka ngritur alarme serioze: kontrata iu dha pa tender një kompanie amerikane pa asnjë përvojë në tregtinë e gazit, e drejtuar nga ish-avokati i Trumpit dhe vëllai i një ish-këshilltari të tij. Ivana Korajlic nga Transparency International nuk nguroi ta quajë situatën "absurde", duke theksuar se SHBA-ja dikur ishte promovuesja kryesore e vlerave demokratike në rajon, ndërsa sot nuk shfaq asnjë respekt për institucionet vendase apo sundimin e ligjit.
Kosova dhe rreziku nga precedenti ukrainas
Zhvillimet në Ukrainë hedhin hije edhe mbi Ballkanin. Ekspertë paralajmërojnë se çdo zgjidhje paqeje që do të legalizonte ndryshimet territoriale të arritura me forcë kundër Ukrainës do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për rajonin. Serbia do të pretendonte të njëjtën logjikë ndaj Kosovës, veçanërisht veriut të saj, ndërsa serbët e Bosnjës do të kërkonin shkëputje. Kosova, si shtet i pavarur e sovran, mbetet kështu një ndër pikat më të ndjeshme të kësaj ekuacioni gjeopolitik.
BE-ja, nga ana e saj, vazhdon të punojë për integrimin energjetik të Ballkanit Perëndimor në tregun e vet, duke kërkuar respektim të rregullave të përbashkëta. Brukseli ka paralajmëruar Bosnjën se rrezikon të humbasë mbështetjen financiare nëse i anashkalon këto standarde. Tensioni mes dy qasjeve — asaj amerikane, gjithnjë e më pragmatike dhe e lidhur me interesa biznesi, dhe asaj europiane, e bazuar në kritere institucionale — rrezikon të lërë vendet e rajonit pa një ankorë të qëndrueshme në një moment historikisht delikat.
BurimiGazeta Expres



