Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë publik një njoftim zyrtar të datës 9 shtator 2026, ku bëhet e ditur se hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kanë hyrë në një fazë të re. Procedimi penal nr. 136 i vitit 2025 është zgjeruar me fakte të reja penale, duke përfshirë akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Sipas SPAK-ut, hetimet e vazhduara me metoda speciale dhe prova dixhitale kanë nxjerrë në dritë se Balluku ka ushtruar ndikim të paligjshëm në tetë procedura prokurimi publik, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë operatorë të caktuar ekonomikë. Ndër to, procedurat lidhur me Unazën e Jashtme të Tiranës (Lote 4, 5, 6 dhe 7), Tunelin e Llogarasë në segmentin Orikum-Himarë, si dhe disa projekte rrugore në zonën e Sheshit Shqiponja dhe Bulevardit të Ri, renditen si objekt i hetimit.
Vila e fshehur në Green Coast dhe lidhja me kompaninë fituese
Elementi më i ri dhe i rëndë i hetimit ka të bëjë me një pronë të paluajtshme të fshehur: "Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27", e ndërtuar në kompleksin "Green Coast" në Palasë të Himarës. SPAK pretendon se Balluku ka pronësinë faktike të kësaj vile, por se e ka regjistruar në emër të shtetasit Igli Tare nëpërmjet kontratash fiktive — fillimisht nëpërmjet një kontrate sipëmarrjeje datë 26 tetor 2020 me vlerë 250 mijë euro, e më pas nëpërmjet një kontrate fiktive shitjeje datë 12 shtator 2025.
Rëndësi të veçantë ka fakti se investimet e mëvonshme në ndërtimin e vilës, të vlerësuara nga 288.616 euro deri në 410.526 euro, dyshohet se janë financuar nga Arbër Abazi, pronar i shoqërisë "Alko Impex General Construction" — kompania e njëjtë që u shpall fituese e procedurës së prokurimit për Unazën e Jashtme Tiranë, Loti 7, me fond limit mbi 2 miliardë e 353 milionë lekë pa TVSH. Me fjalë të tjera, SPAK dyshon se Balluku mori si "ryshfet" punimet e vilës, në këmbim të favoreve që i dha kësaj kompanie në tenderin publik.
Sekuestro preventive dhe akuzat e reja ndaj personave të tjerë
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK-ut dhe me vendimin nr. 591, datë 9 shtator 2026, ka urdhëruar sekuestrimin preventiv të vilës në Green Coast — pronë me sipërfaqe totale 478 m² truall dhe 142.6 m² ndërtesë. Ky është një hap procedurial i rëndësishëm, që synon të parandalojë çdo veprim tjetër fshehës mbi pasurinë e dyshueshme.
Përveç Ballukut, SPAK ka zgjeruar hetimet edhe ndaj personave të tjerë: shtetasi Arbër Abazi akuzohet për korrupsion aktiv të funksionarit të lartë shtetëror, shtetasi Igli Tare për pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa personi juridik "Alko Impex General Construction" dyshohet gjithashtu për korrupsion aktiv. Ndërkaq, disa zyrtarë të ministrisë dhe anëtarë të komisioneve të vlerësimit të tenderave figurojnë të përfshirë si bashkëpunëtorë.
Çështja e Belinda Ballukut po merr gjithnjë e më shumë peshë institucionale. Nëse akuzat e SPAK-ut do të konfirmohen në gjykatë, ato do të paraqesin një nga rastet më të rënda të korrupsionit të lartë politik të ndjekur penalisht nga drejtësia e re shqiptare — duke përfshirë abuzim me fondet publike, fshehje pasurie dhe pastrim parash me vlera miliona euro.
BurimiEuro news Albania



