Ditën e nesërme, më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë do të shpallë aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit — katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vendimi pritet rreth orës 10:00 dhe do të jetë vendim i shkallës së parë, që u jep të drejtë apelimi si Prokurorisë, ashtu edhe mbrojtjes. Interesimi i ngjallur nga ky proces është i jashtëzakonshëm — jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe në gjithë rajonin dhe diasporën shqiptare.
Marshim i madh i shqiptarëve në Hagë
Mbrëmjen e sotme, pasdite nga ora 20:00, mbi 10 mijë shqiptarë nga të gjitha trevat — Kosova, Shqipëria dhe diaspora — pritet të mblidhen në Hagë për të shprehur mbështetjen ndaj të akuzuarve dhe për të protestuar kundër akuzave të ngritura ndaj tyre. Organizatorët kanë parashikuar një marshim që nis nga ambientet pranë gjykatës dhe vazhdon drejt një pike tjetër grumbullimi në qytet. Sipas burimeve nga vendi, shqiptarët planifikojnë të qëndrojnë edhe gjatë ditës së shpalljes së vendimit, duke pritur verdiktin me shpresën se gjykata do të vendosë në favor të katërshe.
Autoritetet holandeze kanë njoftuar se janë mobilizuar plotësisht për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e tubimet, duke pasur parasysh numrin e madh të personave të pritur të jenë të pranishëm gjatë dy ditëve të ardhshme.
Çfarë u dëshmua gjatë procesit gjyqësor
Procesi gjyqësor ndaj katër të akuzuarve ka zgjatur disa vite dhe ka kaluar nëpër faza të shumta proceduriale. Prokuroria ka thirrur mbi 100 dëshmitarë, ndërkohë edhe mbrojtja ka paraqitur provat dhe dëshminë e saj. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit — akuza që të katër i kanë mohuar kategorikisht.
Gjatë fazës së mbrojtjes, disa dëshmitarë me peshë — përfshirë persona që mbajtën poste kyçe gjatë luftës së viteve 1998-1999 — kundërshtuan pretendimin e Prokurorisë se të katër të akuzuarit bënin pjesë në një strukturë të centralizuar komanduese. Diplomatë të ndryshëm dhe ish-komandantë të terrenit dëshmuan se UÇK-ja nuk kishte një zinxhir të vetëm komande, por që vendimet merreshin kryesisht nga komandantët lokalë të fushës. Hashim Thaçi, sipas këtyre dëshmive, është përshkruar si figurë kryesisht politike dhe diplomatike e lëvizjes çlirimtare, e jo si urdhërues ushtarak direkt.
Aktgjykimi i nesërëm konsiderohet me rëndësi të dyfishtë: juridike, si vendim gjyqësor i shkallës së parë, dhe politike, duke pasur parasysh jehonën e gjerë që procesi ka krijuar në mbarë botën shqiptare. Vendimi pritet të ndjekë rrjedhën e mëtejshme politike e juridike në Kosovë dhe rajon, dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë përpara Dhomës së Apelit të të njëjtit institucion.
BurimiRTSH



