Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pyetur kanë zbardhur detaje të rëndësishme mbi lëvizjet e Armand Shakajt pas zhdukjes së Eglant Koçit, 34 vjeçe. Sipas dosjes së hetimit, më 5 qershor 2026, vetëm një ditë pasi u raportua zhdukja e Eglant, Shakaj është filmuar duke u larguar nga lokali i tij duke tërhequr një thes të zi, të cilin më pas e ka ngarkuar në automjetin e tij. Menjëherë pas tij, është parë edhe kamarieri Enea Zyferi.
Në dëshminë e tij dhënë punonjësve të policisë, Zyferi deklaroi se Shakaj i kishte kërkuar atij të ndihmonte në uljen e grilës së sigurisë së lokalit, pasi duhej të ngarkonte një frigorifer. Më pas, sipas tij, të dy u larguan për të larë makinën në një lavazh.
Dyshohet për fshehje të trupit
Megjithatë, kjo dëshmi nuk i ka bindur hetuesit. Pamjet filmike dhe informacione të tjera të mbledhura ngritën dyshime se thesi i zi mund të jetë përdorur për të vendosur brenda trupin e pajetë të Eglant Koçit. Policia dyshoi se Enea Zyferi kishte ndihmuar Shakajn të largonte trupin nga lokali. Për këtë arsye, ai u ndalua si i dyshuar për ndihmë autorit të krimit dhe gjykata fillimisht i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Pas gjashtë muajsh, kjo masë u zëvendësua me “arrest shtëpie” për shkak të rrethanave familjare që ai paraqiti.
Mungesa e provës vendimtare
Një tjetër element që shtoi dyshimet ishte fakti se kamerat kishin regjistruar takime të shpeshta mes Shakajt dhe Zyferit gjatë ditëve kur Eglant ishte zhdukur. Megjithatë, në atë fazë policisë i mungonte një provë vendimtare: trupi i 34-vjeçares. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e zhdukjes së Eglant Koçit dhe për të identifikuar vendndodhjen e saj, duke hedhur dritë mbi detajet ende të pazbuluara të kësaj ngjarjeje tronditëse.
Shiko edhe
BurimiAlbeu



