Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një opinion në gazetën ukrainase "Kyiv Post", duke i bërë thirrje Presidentit Volodymyr Zelensky të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës. Në shkrimin e tij, Kurti thekson dallimet thelbësore midis pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia, duke kundërshtuar hapur narrativën e Presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka tentuar të përdorë Kosovën si precedent për veprimet e tij në Ukrainë.
Kurti kujton se në gusht të këtij viti, Zelensky kishte deklaruar se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Kryeministri theksoi se kjo deklaratë u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, një aleat i ngushtë i Rusisë. Ndërkohë, Kosova ka shprehur mbështetje të plotë për Ukrainën, duke dënuar agresionin rus, duke iu bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës, duke strehuar gazetarë ukrainas dhe duke ofruar ndihmë e trajnime ushtarake.
Rasti i Kosovës dhe pretendimet ruse
Kryeministri Kurti argumenton se Kosova dhe Ukraina ndajnë ngjashmëri historike, duke qenë se të dyja janë përballur me fqinjë që përdorin pretendime historike për të justifikuar ambiciet territoriale. Megjithatë, ai sqaron se rasti i Kosovës nuk mund të shërbejë si argument për aneksimin e territoreve nga ana e Rusisë. Kurti referohet deklaratës së Putinit pas aneksimit të Krimesë, ku Presidenti rus pretendonte se Perëndimi kishte krijuar vetë precedentin e Kosovës, ndërsa banorët e Krimesë kërkonin të njëjtën të drejtë. Kurti thekson se Putin e përmend Kosovën jo për të respektuar të drejtën ndërkombëtare, por për të diskredituar Perëndimin dhe për të barazuar agresionin rus me ndërhyrjen ndërkombëtare humanitare në Kosovë.
Në shkrimin e tij, Kurti riktheu në vëmendje zhvillimet historike që çuan në pavarësinë e Kosovës, përfshirë represionin sistematik ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, luftën, spastrimin etnik dhe gjenocidin e kryer nga Serbia. Ai gjithashtu kujtoi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, negociatat e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare për statusin e Kosovës, të cilat filluan në vitin 2005 nën drejtimin e Martti Ahtisaarit, si dhe opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010. Kjo gjykatë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. "Kosova nuk është precedenti i Putinit", shkruan Kurti, duke theksuar se çdo rast i vetëvendosjes duhet vlerësuar mbi bazën e historisë dhe rrethanave specifike.
Një e ardhme e përbashkët drejt BE-së dhe NATO-s
Kurti përmendi edhe çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se familjet e tyre vazhdojnë të kërkojnë mbetjet mortore të të afërmve të tyre të vrarë, ndërsa Serbia vazhdon të mos tregojë vendndodhjen e varrezave masive. Ai kujtoi vizitën e tij në Zubin Potok, ku u zbuluan mbetje mortore që besohet se lidhen me civilë të rrëmbyer gjatë luftës.
Në pjesën përmbyllëse të opinionit, Kryeministri theksoi se Kosova dhe Ukraina ndajnë një orientim të përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ai i bëri thirrje Presidentit Zelensky që të njohë Kosovën, duke argumentuar se një vendim i tillë do të ishte në përputhje me parimet për të cilat Ukraina po lufton: respektimin e rendit ndërkombëtar, mosndryshimin e kufijve me forcë dhe të drejtën e popujve për të përcaktuar të ardhmen e tyre. "Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë", përfundoi Kurti shkrimin e tij.
Shiko edhe
BurimiTelegrafi



