Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka i ka përcjellë qeverisë shqiptare një dokument të detajuar me 16 propozime për Paketën Fiskale 2027. Ndërhyrjet e kërkuara shtrihen nga rishikimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për sektorët prodhues e agropërpunues, deri tek heqja e tarifave doganore për lëndët e para dhe stimujt fiskalë për inovacionin teknologjik. Dokumenti u nënshkrua pas konsultimeve me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe iu drejtua Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, si dhe Ministrit të Financave, Petrit Malaj.
TVSH-ja dhe kostot e importit — kërkesat kryesore
Ndër propozimet më të rëndësishme është ulja e TVSH-së për industrinë prodhuese dhe zbatimi i një norme të reduktuar prej 5 deri 7 për qind për sektorin e agropërpunimit — normë që, sipas Dhomës, është e zakonshme edhe në disa vende të Bashkimit Europian dhe të rajonit. Gjithashtu kërkohet që të gjithë operatorët e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit të përfshihen në skemën e TVSH-së, pavarësisht xhiros vjetore të deklaruar.
Propozohet gjithashtu zbatimi i TVSH-së zero për fertilizantët organikë të prodhuar brenda vendit nga riciklimi i mbetjeve shtazore e bimore, me argumentin se kjo do të nxiste bujqësinë organike dhe do të ulte varësinë nga importet. Për sektorin e energjisë dhe industrisë prodhuese kërkohet përjashtimi nga TVSH-ja i makinerive të importuara për qëllime investimi, ndërsa për karburantet propozohet zgjerimi i të drejtës së zbritjes tatimore.
Në lidhje me kostot doganore, Dhoma kërkon heqjen e tarifave doganore për të gjitha lëndët e para që përdorin industritë vendase, rimbursimin e tyre për eksportuesit dhe pezullimin e detyrimit të parapagimit të TVSH-së në doganë gjatë importit. Ky i fundit synon lehtësimin e nevojave për likuiditet të ndërmarrjeve prodhuese. Kërkohet gjithashtu rimbursimi i akcizës për gazin dhe lëndët djegëse të përdorura në prodhim.
Investimet, pasuria dhe integrimi europian
Një grup i rëndësishëm propozimesh ka të bëjë me taksimin e pasurive dhe investimeve. Dhoma kërkon që taksa e ndikimit në infrastrukturë të paguhet me tre këste, në vend të pagesës së menjëhershme. Paralelisht, propozohet rishikimi i taksës mbi pasuritë për ndërmarrjet prodhuese dhe rritja e normës së amortizimit fiskal nga 20 në 40 për qind për makineritë e pajisjet industriale — një ndryshim që do të ulte ndjeshëm barrën tatimore mbi investimet kapitale.
Një shtyllë tjetër e dokumentit lidhet me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Bizneset kërkojnë lehtësira fiskale për investimet që mundësojnë përmbushjen e standardeve europiane, skema subvencioni dhe kredi të buta për modernizim teknologjik, si dhe fonde të veçanta buxhetore për sektorin agropërpunues, i cili duhet të përmbushë rregulloret europiane të higjienës dhe sigurisë ushqimore. Propozohet edhe krijimi i një fondi grantesh të drejtpërdrejta për investimet në teknologji. Sipas Dhomës, mungesa e mbështetjes shtetërore rrezikon të detyrojë një numër ndërmarrjesh të ndërpresin aktivitetin pas anëtarësimit.
Në fushën e inovacionit, kërkohet përjashtimi nga tatimi mbi fitimin i shpenzimeve për kërkim shkencor dhe zhvillim teknologjik, zbatimi i zbritjeve fiskale shtesë për certifikime dhe bashkëpunime me universitete, si dhe lehtësira tatimore për importin e pajisjeve kërkimore dhe patentave. Dhoma thekson se këto propozime janë ende kërkesa të komunitetit të biznesit dhe nuk përbëjnë ndryshime të miratuara në legjislacionin fiskal, duke i bërë thirrje qeverisë të vijojë dialogun me sektorin privat përpara finalizimit të paketës.
BurimiMonitor



