Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë në Prishtinë të enjten, më 1 tetor, ku pritet të zhvillojë takime me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti. Vizita është pjesë e një turneu të gjerë nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim forcimin e perspektivës europiane të rajonit.
Itinerari i Von der Leyen fillon të mërkurën në Tiranë, vazhdon të enjten në Prishtinë dhe Podgoricë, dhe përfundon të premten në Shkup. Diskutimet, sipas Komisionit Europian, do të përqendrohen në perspektivën e anëtarësimit në BE, integrimin gradual dhe zbatimin e Planit të Rritjes Ekonomike për rajonin.
Harta rrugore për Shqipërinë dhe Malin e Zi
Vizita vjen në një moment të rëndësishëm: Komisioni Europian është duke finalizuar harta rrugore për vendet kandidate që kanë shënuar progres të ndjeshëm. Von der Leyen e njoftoi këtë iniciativë gjatë fjalimit të saj të 16 shtatorit, pa specifikuar atëherë se cilat vende përfshihen. Sipas burimeve të mirëinformuara, dokumentet do të mbulojnë Shqipërinë dhe Malin e Zi në Ballkanin Perëndimor, si dhe Moldavinë dhe Ukrainën në Europën Lindore.
Hartat rrugore kanë për qëllim të përcaktojnë reformat e nevojshme, kushtet dhe afatet orientuese për fazat e ardhshme të negociatave të anëtarësimit. Propozimet nuk janë paraqitur ende zyrtarisht, por pritet të konkretizohen së shpejti.
Mali i Zi — shteti më pranë kufirit të BE-së
Gjatë vizitës në Podgoricë, Von der Leyen do të takohet me presidentin Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić. Mali i Zi mban pozitën e vendic më të avancuar në procesin e negociatave — ka hapur të gjitha 33 kapitujt e bisedimeve dhe ka mbyllur përkohësisht 18 prej tyre. Komisioni Europian ka nisur gjithashtu përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi dhe ka propozuar një paketë financiare për të mbështetur kalimin e mundshëm të vendit drejt statusit të plotë anëtar.
Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk janë përfshirë në këtë turne. Komisioni Europian ka sqaruar se Von der Leyen planifikon t'i vizitojë këto dy vende në një moment të mëvonshëm, duke pasur parasysh zgjedhjet e afërta parlamentare dhe lokale atje. Për Shqipërinë, ky turne shënon një konfirmim të qartë të pozicionit të saj si vend kandidat me prioritet — hartja rrugore, nëse miratohet, do të jetë udhërrëfyesi konkret drejt integrimit të plotë europian.
BurimiAlbeu



