Aktualitet

Moment kritik” / Veliaj: “Duhet të mos krijojmë ndasi populiste mes Shqipërisë e Kosovës”

Arkitektë, inxhinierë informatike, gazetarë dhe farmacistë nga Kosova, Mali i Zi, Italia etj, që morën nënshtetësinë shqiptare, u betuan edhe para kryebashkiakut te Tiranës, Erion Veliaj, për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaron se ky është një moment kritik në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë ceremonisë së betimit të shtetasve të rinj, Veliaj tha se:

“Ky është një moment kritik për të gjithë vëllezërit dhe motrat nga Kosova, të cilët na bashkohen sot si shtetas të Republikës së Shqipërisë. Unë mund të them fjalë të bukura, por nëse nuk reflektojmë, nuk kemi mësuar asgjë. Ky është një moment kritik. Nganjëherë, politika e ditës na merr përpara dhe themi një fjalë më tepër, që nuk duhet thënë; bëjmë ndonjë gjest më tepër, që nuk është i nevojshëm; mundohemi që, për të fituar 4 vota këtu dhe 5 vota atje, kalojmë në populizëm, pa e kuptuar se çfarë efekti sjell në publik”.

Kreu i Bashkisë u shpreh se gjërat që na bashkojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë janë më të shumta se sa ato që na ndajnë. “Por, shpresoj qe shtetasit e rinj shqiptarë, me origjinë nga Kosova, të jenë ura komunikimi. Ne kemi 99 gjëra që na bashkojnë. Por, nëse ka një temë që na ndan, e cila meriton të debatohet, le ta bëjmë debatin në mënyrë te civilizuar. Nëse e quajmë veten një familje, le të flasim si në familje. Besoj se kjo lloj lemze, mund të kalohet në qoftë se njerëzit, sidomos ata që e ndajnë kohën mes Shqipërisë dhe Kosovës, luajnë rolin e komunikuesit, për të përkthyer më mirë realitetin. Gjërat që na bashkojnë, janë jo vetëm më të shumta, por janë edhe më të rëndësishme, se sa cic-micet e vogla të ditës”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button