Leku “shkërmoq” euron dhe dollarin, monedhat kapin minimumin sot (SHIFRAT)
Revanshi i Euros dhe valutave të tjera në kursin e këmbimit me Lekun nuk ka zgjatur më shumë se një javë.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 106.78 lekë. Euro ka humbur 1.41 lekë që nga fillimi kësaj jave dhe ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 13 qershor. Rënia me ritme të shpejta e Euros ka zhvlerësuar edhe valutat e tjera kryesore.Dollari Amerikan u këmbye me 97.75 lekë, duke shënuar kështu një rekord të ri në rënie për 12 vitet e fundit.
Paundi britanik u këmbye me 124.21 lekë, në rënie me rreth 1.4 lekë krahasuar me fundin e javës së kaluar dhe duke qëndruar pranë vlera më të ulëta historike, që u shënuan në dhjetëditëshin e parë të muajit qershor.
Edhe Franga Zvicerane humbi terren dhe u këmbye me 108.95 lekë, duke u rikthyer pranë niveleve më të ulëta të katër viteve të fundit.
Burime nga tregu bëjnë të ditur se rënia e Euros u frenua nga një ndërhyrje e Bankës së Shqipërisë. Pas datës 9 qershor, kur Euro preku minimumin historik prej 105.62 lekësh, Banka e Shqipërisë ndërhyri me blerje direkte të Euros në tregun valutor, me qëllim për të frenuar rënien e shpejtë të kursit të monedhës europiane.
Por, efekti i kësaj ndërhyrje nuk ka zgjatur më shumë se një javë dhe kursi i Euros i është kthyer sërish rënies. Ky mund të jetë një tregues se ndoshta ekuilibrat normalë të kursit Euro/Lek tashmë janë zhvendosur në rënie dhe ndërhyrjet afatshkurtra të Bankës së Shqipërisë nuk kanë ndonjë dobi të madhe.
Këtë vit, Leku po shfaq një tendencë të fortë mbiçmuese në kursin e këmbimit me Euron, tendencë që po reflektohet edhe në kursin e këmbimit me valutat e tjera. Me bazë vjetore, monedha europiane ka humbur rreth 12%. Sipas agjentëve, kjo rënie shpjegohet me ofertën e lartë të Euros në tregun valutor.
Burimet e kësaj oferte të lartë është e vështirë të identifikohen plotësisht, por në pamje të parë përmirësimi i Bilancit të Pagesave dhe rritja e prurjeve nga turizmi duket se e mbështesin tendencën mbiçmuese të lekut. Hyrja e sezonit turistik i ka forcuar edhe më shumë tendencat mbiçmuese të monedhës vendase.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e deficitit të llogarisë korrente në tremujorin e parë të vitit zbriti në 135 milionë euro, 72% më pak krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar dhe 46% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ishte njëkohësisht vlera më e ulët e shënuar ndonjëherë për tremujorin e parë të vitit, të paktën për periudhën prej vitit 2008 e në vazhdim, të mbuluar nga statistikat e Bankës së Shqipërisë.