Aktualitet

Kursanti i policisë bën gjestin për t’u vlerësuar, merr Certifikatë Mirënjohjeje 

Një kursant për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë u vlerësua këtë të mërkurë me Certifikatë Mirënjohjeje, pas një gjesti të rrallë e për t’u vlerësuar.

Xhojsi Lamaj, pasi ka gjetur në Rrugën e Kavajës, një portofol me vlera të konsiderueshme (franga, euro, lek) dhe sende personale, e ka dorëzuar portofolin në Komisariatin e Policisë Nr. 2. Menjëherë është njoftuar shtetasja që kishte humbur portofolin, e cila është paraqitur në këtë komisariat dhe pasi ka marrë nga punonjësja e Policisë, portofolin me gjithë shumë e parave dhe sendet personale, ka vlerësuar veprimin e punonjësit të Policisë dhe e ka falenderuar atë, pasi gjeste të tilla rrallë ndodhin.

Gjestin e kursantit e ka vlerësuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

“Gjesti i kursantit për Patrullë të Përgjithshme është modeli më i mirë që duhet të ndjekin punonjësit e Policisë, në raport me qytetarët. Nga ana tjetër, kjo tregon nivelin e lartë të mësimdhënies në Kolegjin e Policisë, të përgatitjes dhe të orientimit të kursantëve, të cilët pas përfundimit të Kolegjit, do t’i shërbejnë qytetarëve. Punonjësi i Policisë duhet të jetë mishërimi i vlerave më të mira njerëzore dhe pasqyra ku qytetarët duhet të shohin shpresë, siguri, besim, humanizëm dhe shërbim cilësor”, tha Rrumbullaku.

Kursanti është falenderuar edhe nga drejtuesit e Akademisë së Sigurisë. Për të vlerësuar gjestin e kursantit Xhojsi Lamaj, rektori i Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro i ka akorduar dhe dorëzuar atij, Certifikatë Mirënjohjeje.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button