Ministri izraelit shpallet “non grata” në Francë, zbardhen detajet nga vendimi drastik
Franca ka ndaluar hyrjen në territorin e saj të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, pas publikimit të pamjeve ku ai tallej me aktivistët e arrestuar të flotiljes “Global Sumud”.
Vendimi u bë publik nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noul Barrot, i cili deklaroi se sjellja e Ben-Gvir ishte e papranueshme dhe cenonte dinjitetin njerëzor të qytetarëve francezë dhe europianë.
Ngjarja ndodhi pasi forcat detare izraelite ndaluan flotiljen në ujërat ndërkombëtare pranë Qipros dhe arrestuan rreth 430 pjesëmarrës. Në videot e publikuara në rrjetet sociale, aktivistët shiheshin të gjunjëzuar, me sy të lidhur dhe duar të prangosura, ndërsa Ben-Gvir tallej me ta. Pamjet shkaktuan reagime të forta ndërkombëtare dhe zemërim në disa vende europiane.
Franca, Italia, Holanda, Kanadaja dhe Spanja thirrën ambasadorët izraelitë për të kërkuar shpjegime dhe dënuan trajtimin e aktivistëve. Autoritetet franceze deklaruan se nuk mund të tolerojnë kërcënimin apo dhunën ndaj shtetasve të tyre, sidomos nga një zyrtar i lartë shtetëror.
Ministri francez Barrot tha se veprimet e Ben-Gvir janë pjesë e një serie të gjatë deklaratash dhe sjelljesh që nxisin urrejtje dhe dhunë ndaj palestinezëve. Ai i bëri thirrje edhe Bashkimit Europian të marrë masa dhe të vendosë sanksione ndaj ministrit izraelit.
Skandali ka shtuar më tej tensionet diplomatike mes Izraelit dhe disa vendeve europiane, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut po kërkojnë hetim ndërkombëtar për trajtimin e aktivistëve të flotiljes.






