Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka prezantuar një projekt-rregullore të re, e cila parashikon thjeshtimin e procedurave dhe afateve për ndryshimin e furnizuesit të energjisë elektrike. Ky dokument, i hapur aktualisht për konsultim publik, synon t'u mundësojë klientëve familjarë dhe bizneseve të kalojnë në mënyrë më efikase nga një furnizues te tjetri, kryesisht përmes një procesi elektronik.
Ndryshimet vijnë në zbatim të ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike dhe trajtojnë detyrimet e palëve, afatet dhe kushtet financiare. Aktualisht, një pjesë e madhe e klientëve familjarë dhe bizneseve të vogla furnizohen me çmime të rregulluara nga ERE, ndërsa tregu i lirë është liberalizuar gradualisht për subjekte me tensione më të larta.
Procedura elektronike dhe afate të shkurtra
Sipas projekt-rregullores, kërkesat për ndryshimin e furnizuesit do të administrohen nëpërmjet platformave elektronike të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), varësisht nga rrjeti ku është lidhur klienti. Aplikimi mund të bëhet direkt nga konsumatori ose nga furnizuesi i ri, me autorizimin e klientit. Kjo do të reduktojë nevojën për dokumentacion fizik, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më pak burokratik, ndonëse mundësia e aplikimit me shkrim do të mbetet.
Afati maksimal për përfundimin e ndryshimit të furnizuesit është reduktuar në tri javë nga paraqitja e kërkesës, në përputhje me ligjin e ri të miratuar në vitin 2026. Procesi teknik i ndryshimit, pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet, nuk pritet të zgjasë më shumë se 24 orë. Kjo shënon një përmirësim nga rregullorja ekzistuese, e cila parashikonte një afat prej 15 ditësh vetëm për procesin teknik.
Pa tarifa për klientët familjarë, fleksibilitet për detyrimet
Për klientët familjarë, si dhe ndërmarrjet mikro dhe të vogla, projekt-rregullorja parashikon që ndryshimi i furnizuesit të kryhet pa asnjë tarifë. Për klientët më të mëdhenj, mund të aplikohen tarifa vetëm në rastet e përfundimit të parakohshëm të kontratave me çmim fiks, por këto tarifa duhet të jenë qartësisht të komunikueshme, proporcionale dhe të mos tejkalojnë humbjen e drejtpërdrejtë ekonomike të furnizuesit.
Një pikë tjetër e rëndësishme është trajtimi i klientëve me detyrime të papaguara. Projekt-rregullorja lejon ndryshimin e furnizuesit edhe nëse klienti ka borxhe, nëse ekziston një marrëveshje për shlyerjen me këste ose nëse furnizuesi i ri merr përsipër detyrimet e klientit përmes një marrëveshjeje me furnizuesin aktual. Kjo qasje siguron që detyrimet e vjetra të mos pengojnë kalimin drejt një shërbimi më të mirë ose më ekonomik.
Për më tepër, klientët do të kenë të drejtë të marrin informacionin për konsumin dhe faturën përfundimtare brenda 20 ditëve nga ndryshimi i furnizuesit. ERE do të monitorojë me kujdes të gjitha procedurat dhe do të ketë të drejtën të nisë procedime administrative për shkeljet e konstatuara, edhe pa ankesë nga ana e konsumatorit, duke garantuar kështu një treg energjie më të rregullt dhe transparent.
BurimiMonitor



