Profili kriminal i të dyshuarit për vrasjen e një shtetasi francez në plazhin e Ksamilit po merr konture gjithnjë e më të qarta. Sokrat V., 29 vjeç, i identifikuar si autori i dyshuar i ngjarjes, nuk ishte i panjohur për drejtësinë evropiane — në vitin 2024 ai ishte dënuar me pesë vite burgim nga Gjykata e Kurorës në Kembrixh të Anglisë, pasi pranoi akuzat e rënda penale ndaj tij.
Precedentët penalë në Angli
Gjykata britanike e kishte dënuar Sokrat V. për një sërë veprash penale, mes tyre dy akuza për posedim të lëndëve narkotike të klasit A me qëllim furnizimi — kategoria më e rëndë sipas legjislacionit britanik — si dhe për drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Ngjarja e parë kishte ndodhur më 30 prill 2024 në Kembrixh, kur policia e trafikut e vuri re duke drejtuar një Toyota RAV4 të vjedhur. Kur efektivët u përpoqën ta ndalonin, i riu shpejtoi dhe u largua, ndaloi shkurtimisht për të lënë një pasagjer dhe pastaj braktisi automjetin afër Clara Rackham Road. Gjatë ndjekjes dyshohet se hodhi në një shkurre një pako me kokainë. Pas kapjes, iu gjetën 560 paund dhe testi i drogës rezultoi pozitiv.
Në një rast të dytë, më 13 prill 2024 në Kent, 29-vjeçari po drejtonte një mjet me targa të klonuara dhe nuk i bindej urdhrit policor për ndalim. Makina u përmbys gjatë ndjekjes dhe gjatë kontrollit iu sekuestruan qese kokaine dhe targa false.
Vrasja në Ksamil dhe arratia
Pavarësisht dënimit pesëvjeçar, Sokrat V. rezulton të ketë qenë jashtë burgut dhe në Shqipëri, ku sipas autoriteteve shqiptare është i dyshuar për vrasjen e një të riu francez rreth 20 vjeç. Viktima u gjet pa shenja jete në shezlongët e një plazhi në Ksamil rreth orës 05:15, me plagë nga mjet prerës. Policia shqiptare vlerëson se konflikti filloi për motive të parëndësishme.
I dyshuari u largua menjëherë pas ngjarjes dhe mbetet ende i pakapur. Operacionet policore për lokalizimin e tij janë në vazhdim. Rasti ka ngritur pyetje serioze lidhur me mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar të drejtësisë dhe mënyrën se si individë me precedentë të rënda penale në vendet e BE-së mund të lëvizin dhe të veprojnë pa u kontrolluar në Shqipëri. Autoritetet aktualisht po bashkërendojnë veprimtarinë e tyre për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
BurimiRTSH



